Kosova është vendi i katërt që do të nisë së zbatuari projektin për shërbime të veçanta shëndetësore për gra të dhunuara gjatë luftës, por edhe ato që në ditët e sotme kanë përjetuar apo përjetojnë dhunë në baza gjinore. Bosnje e Hercegovina, Iraku dhe Afganistan tashmë janë duke e zbatuar një projekt të ngjashëm.
Për zbatimin e këtij projekti është nënshkruar edhe një memorandum ndërmjet Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe organizatës “Medica Gjakova”, e cila u ofron ndihmë psiko-sociale viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe atyre që përjetojnë dhunë mbi baza gjinore.
Mirlinda Sada, udhëheqëse e organizatës “Medica Gjakova”, tha për Radion Evropa e Lirë se së shpejti do të trajnohen 16 mjekë dhe teknikë mjekësorë për t’i trajnuar më pas edhe 100 mjekë e infermierë të tjerë, në mënyrë që ata të avancohen në trajtimin e rasteve të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore dhe atyre të dhunës seksuale gjatë luftës.
Bazuar në deklaratat e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, llogaritet se janë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-99. Por, për shkak të paragjykimeve, janë vetëm raste të rralla kur personat që kanë përjetuar këtë dhunë kanë folur për historitë e trishta të tyre.
-
Lehtësohen shërbimet mjekësore për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës
-
Shënohet Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, respektohet memoria kolektive
-
Thirrje që të mos ketë kufizim kohor për aplikim, për statusin e viktimës së dhunës seksuale në luftë
-
Husiq: Kosova ta ndjekë shembullin e Bosnjës për statusin e viktimave të dhunës gjatë luftës
-
Viktimat e dhunës seksuale të luftës në pritje të Kushtetueses për Ligjin për sigurimin shëndetësor