Këshilltari komunal nga radhët e Vetëvendosjes, Vendenis Lahu, që njëherësh është edhe shef i Grupit, ka thënë se në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal do të paraqesë dorëheqjen.
Këtë hap ai thotë se e ka marrë pas emërimit të motrës së tij, Marigona Lahut në postin e nënkryetares së Komunës. Megjithëse thotë se kjo nuk paraqet konflikt interesi, Lahu, në një postim në rrjetet sociale, ka thënë se me këtë do të japë shembull se pozitat nuk duhet të jenë gjithçka.
“Rezultati i 29 nëntorit solli ndryshim në qeverisjen komunale - ndryshim ky për të cilin pandalshëm punuan aktivistët e qytetarët e pakënaqur me qeverisjen e deritashme. Siç edhe mund ta keni parë shumë nga ju, në ekzekutivin e ri të komunës, të emëruar nga kryetari Bulliqi dhe Lëvizja Vetëvendosje!, në pozitën e nënkryetares së Komunës është emëruar anëtarja e hershme e Lëvizjes, motra ime, Marigona”, ka shkruar Vendenis Lahu. “Duke e pasur të njohur mirë ndarjen e qartë mes pushtetit ekzekutiv dhe legjislativit, jam i vetëdijshëm se pozicioni im në legjislativ, si asamblist i dalë nga vota qytetare, nuk paraqet konflikt interesi, por në të njëjtën kohë, duke dashur të jap shembull personal se pozicionet nuk janë gjithçka dhe se e përgjithshmja është çdo herë mbi personalen, ju njoftoj se në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Komunale do të paraqesë tërheqjen time nga Asambleja dhe njëkohësisht pozicioni i Shefit të Grupit të Asamblistëve të VV-së, duke u dhënë kështu mundësi edhe të tjerëve për të punuar në realizimin e synimeve tona të përbashkëta”.
Shefi i deritanishëm i Grupit të këshilltarëve të VV-së ka thënë se pozitat udhëheqëse nuk janë për përfitime vetanake.
“Ato janë përgjegjësi e jashtëzakonshme për të gjithë ata që e kuptojnë peshën e përgjegjësisë së detyrës të cilën e ushtrojnë, dhe nder e privilegj për ata të cilët arrijnë të jetësojnë vizionin e tyre për të mirën e përbashkët. Asamblistëve të rinj u uroj punë të mbarë, e ekzekutivit te ri suksese! Aktivizmi im nuk do të ndalet, ai do të vazhdojë në dimensione tjera”, ka shkruar ai.