Arbëri

Shatri: Po diskriminohen ata që e luftuan sistemin e Jugosllavisë

Blendor Shatri

Blendor Shatri, përfaqësues ligjor i Sindikatë së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), ka deklaruar se kërkojnë që ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale që financohen nga shteti, duke shtuar se pensionistët janë në gjendje të rënduar me një pension prej 100 eurove.

Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se ata që kanë punuar në sistemin e Jugosllavisë sot gëzojnë pensionin e plotë “e ata që e kanë luftuar atë sistem, sot diskriminohen pasluftës.

“Të punësuarit e sistemit të arsimit të Kosovës në kohë dhe të dëbuarit nga puna janë diskriminuar pasi janë detyruar të largohen, e një person, qoftë shqiptar që ka punuar deri në vitin ’99, ata tani me plotësim-ndryshimin e ligjit realizojnë pensionin e plotë, e këta që e kanë luftuar atë sistem diskriminohen”, ka thënë Shatri.

Zyrtari ligjor i SBASHK-ut ka shtuar se ky Ligj nuk prek vetëm Sindikatën, por të gjithë pensionistët që kanë dhënë kontributin e tyre.

Shatri ka shtuar se me afate ligjore janë në rregull dhe ky ligj mund të aprovohet brenda këtij viti “nëse ka vullnet politik”. Ai shtoi se grupet parlamentare në Kuvend e përkrahin një nismë të tillë, nisur nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Ne në të kaluarën kemi pasur raporte jo të mira me Qeverinë, por kjo iniciativë s’ka të bëjë vetëm me SBASHK-un. Ne jemi nisur me aktgjykimin e Kushtetueses, propozimin e kemi bërë për të gjithë personat që i prek ky ligj. Me vullnet të deputetëve kjo nismë legjislative do të shtyhet me shpejtësi”, ka shtuar ai.