Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shatri kritikon Qeverinë për keqmenaxhim të parasë publike: Buxheti i vitit të ardhshëm, i zvogëluar

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për keqmenaxhim të parasë publike, ndërsa pretendimeve se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë 100 milionë euro më i lartë, Shatri ka thënë se me inflacionin dhe rritjen e çmimeve, buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë më i vogël në krahasim me buxhetin e këtij viti.

Qeveria ka aprovuar buxhetin e vitit të ardhshëm i cili kalon 3 miliardë euro. Buxheti do të shqyrtohet në Kuvend përpara ratifikimit. Por buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm s’e bind ish-ministrin Shatri.

“Buxheti është instrumenti kryesor i politikave ekonomike të një mandati qeverisës. Buxheti i aprovuar në Qeveri nuk është rritje. Sepse e kemi koeficientin e inflacionit 5.1 dhe rritjen e çmimeve 2.1, dhe praktikisht ndryshimet që janë bërë në këtë sferë e devalvojnë ose e sjellin atë që të jetë buxhet i zvogëluar në krahasim me buxhetin e vitit të kaluar”, ka thënë Shatri në “60 Minuta” të KTV-së.

Shatri pati kritika edhe për përpilimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, duke thënë se ka mangësi profesionale.

“Ju them sinqerisht, pa tendencë partiake, për nga aspekti profesional, ky buxhet ka dhe mangësi profesionale në përpilim, si te pjesa e të hyrave, si te pjesa e ndarjeve për shpenzime. Në këtë mandat qeverisës, po vërehet një keqmenaxhim i parasë publike, në shfrytëzimin e parasë publike e paraparë me Ligjin për Buxhetin”, ka thënë ish-ministri që shërbeu gjatë viteve 2006-2008.

Shatri e sheh mjaft shqetësuese mungesën e investimeve kapitale. Pa to, sipas tij, s’mund të ketë zhvillim ekonomik e punësim.

“Në dy vjetët e kaluara, kemi pasur 500 milionë euro dështim të investimeve kapitale. Në këto nëntë muaj të këtij viti, vetëm 29% të projekteve kapitale janë realizuar, që është shifër tejet e ulët. Deri në fund, s’besoj që do të arrihet realizimi i 400 mln eurove të investimeve kapitale, nga 800 mln sa është paraparë në fillim të këtij viti. Kjo është shumë shqetësuese. Nëse merren tre vjet, po bëhen 800 milionë euro të pashfrytëzuara”, ka thënë ai.

Edhe Shatri: Qeveria i diskriminoi komunat me buxhetin e 2024-s Arbëri Shatri: Qeveria i diskriminoi komunat me buxhetin e 2024-s

Sipas Shatrit, po nxirren disa probleme procedurale të parëndësishme me qëllim që të vonohen tenderët e ndryshëm.

“Vonohen pa asnjë praktikë”, ka thënë ai.

Ish-ministri tutje ka thënë se ka pasur kontakt me disa kryetarë të komunave, të cilët i kanë thënë atij se në buxhetin e vitit të ardhshëm janë diskriminuar komunat që s’udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosja. Kritika të tilla ka pasur edhe më herët, që kur VV-ja është në pushtet.