Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shasha: S’duhet të brengosemi për komoditetin e Vuçiqit, por për interesat tona

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se për kohë të gjatë në Prishtinë dhe Tiranë ka pasur zëra se duhet mirëkuptuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi ai nuk e ka të lehtë përballë opinionit serb dhe se me çfarëdo koncesioni për Kosovën do të quhej tradhtar.

Por, Shaha thotë se me marrëeshjen e sotme për dokumente të udhëtimit dhe me “zero reagime negative në mediat serbe ndaj Vuçiqit”, është dëshmuar se duhet më pak të shqetësohen njerëzit për komoditetin e presidentit serb.

“Sot marrëveshja e arritur ka zero mbulueshmëri negative në mediat serbe, ka zero reagime të opozitës dhe ka zero thirrje për tradhti apo protesta. Ka zero reagime, sepse nuk mund të ketë reagime në një vend që kontrollohet totalisht nga pushteti. Sot, Vuçiqi mund ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe do të ketë zero pasoja politike. Mediat do të propagandonin çdo argument të Vuçiqit që nuk ka pas rrugë tjetër përveç njohjes së Kosovës, se çfarë thotë opozita edhe ashtu nuk e intereson askënd, ndërsa qytetarët serbë tani më e kanë kuptuar se në Serbi ndodh ajo çfarë do Vuçiqi, prandaj kishin vazhduar me jetët e tyre. Në këtë sens, marrëveshja e sotme na mëson se shumë më pak ne duhet të brengosemi për komoditetin e Vuçiqit, e shumë më shumë për interesat tona”, ka shkruar Shasha në Facebook.