Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sharani për takimin me Çanakun: Nuk bëra pazare, ia thash në sy të gjitha të vërtetat

Luljeta Sharani, nëna të cilës ia vranë dy djemtë në luftën e fundit në Kosovë, u është përgjigjur, siç thotë ajo kritikave për takimin që pati me politikanin serb, Nenad Canak.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se fillimisht kur i ishte kërkuar të bënte takim me të, ajo kishte këmbëngulur që takimi të mos realizohej. Sharani thotë se më vonë kishte vendosur që të takohej me të e të tregohej e fortë, në mënyrë që t’i tregonte të gjitha krimet që shteti serb ka bërë në Kosovë.

Ajo ka shtuar se në takimin me Çanakun nuk bëri as pazare as takim për të pasur përfitime materiale.

“Fillimisht kur më treguan për vizitën e tij dhe mu kërkua një takim, isha këmbëngulëse për JO. Trupi më dridhej dhe se merrja dot me mend, u ula analizova dhe thash me vete ‘Lule vendose një gur dhe jo një mur, shko qëndro pranë bijve ashtu siç qëndrove ditën kur t’i rrëmbyen dhe s’pate fuqi të bëje asgjë, përveç përgjërimeve për të mos i vrarë, atëherë bëje tani, me aq sa mund të bësh qëndro pranë tyre, duke ju treguar se një nënë është shumë e fortë dhe mund t’iu tregoj për krimet dhe vuajtjet që i kanë shkaktuar. Nëna vret edhe me lotin e saj, e të jetosh me shpirt të vrarë je më se i vdekur”, ka shkruar ajo.

Sharani rrëfen se kur kishte shkuar pranë varrezave, përpos temperaturave të larta, thotë se rrahjet e zemrës i ishin përshpejtuar. Ajo thotë se aty ishte vetëm ajo me gjithë ata trupa të pafajshëm. Aty thotë ta ketë marrë forcën të takohet me njeriun e nacionalitetit të njëjtë me ata që kanë bërë krime.

“Rastisi që ta ketë me vete djaline tij, që e kishte moshën e djalit tim kur u vra, të gjitha ja thash dhe po jua them që nuk jam pishman sot e për jetë, sepse të paktën ja thash në sy krejt ato të vërteta, nuk bëra pazare e as biznese e besa besë s’ja urova të njëjtë gjë as djalit të tij”, ka thënë ajo.

Edhe Nenad Çanak: Kosova – vend i së bukurës dhe vdekjes (dokumentar) Arbëri Nenad Çanak: Kosova – vend i së bukurës dhe vdekjes (dokumentar)

Gjatë vizitës së fundit së Çanakut në Kosovë në korrik të këtij viti, a ka takuar Sharanin nga e cila ka dëgjuar historinë e vrasjes së dy djemve të saj.