(Ekonomia Online) - Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka njoftuar se për shkak të problemeve gjysmëvjetori i dytë nuk ka filluar në disa shkolla të kryeqytetit.
Shala ka thënë se aktualisht në Prishtinë vijojnë mësimin 43 mijë nxënës. Sipas saj, numri në rritje i nxënësve që vijnë në Prishtinë për ndjekjen e mësimit shton nevojën për angazhim të mësimdhënësve të rinj.
“Duke e marrë parasysh numrin e nxënësve që i kemi në komunën e Prishtinës rreth 43 mijë ne nuk kemi mësimdhënës që nuk kanë norma të plota, sepse para se të shpallet konkursi ne gjithmonë i marrim të dhënat nga shkollat për mësimdhënësit që nuk kanë norma të plota dhe të gjithë mësimdhënësve i plotësohet norma e më pas shpallen konkurset”.
Ajo poashtu ka thënë se pasojat e pandemisë nuk mund të asgjësohen si te mësimdhënësit ashtu edhe te nxënësit.
“Është e pamundur që t’i eliminojmë të gjitha pasojat të cilat pandemia ka për t’i lënë edhe te të punësuarit edhe tek nxënësit. Ne si drejtori e Arsimit qysh në muajin prill kemi filluar përdorimin e E-shkollorit në mënyrë që afërsia mes nxënësit dhe mësimdhënësit mos të ketë ndërprerje. Mendoj që kjo ka qenë ndër punët më të mira gjatë pandemisë përveç mësimit online që ne e kemi filluar menjëherë pas transmetimit të mësimit në RTK. Në vazhdimësi jemi në kontakt me shkollat. Në periudhën e parë ka qenë kogja stresuese për prindërit nxënësit dhe të gjithë”.
Shala ka treguar se për shkak të pandemisë janë detyruar që klasat të ndahen në grupe pasiqë kanë pasur numër të madh të nxënësve.
“Normalisht që puna është shumëfishuar dhe vështirësuar për shkak se nxënësit është dashur që të ndahen në dy grupe për shkak të hapësirave që nuk i kemi aq sa duhet në shkolla. Një klasë me 42 nxënës është e pamundur në këto kushte pandemie të mbajë mësim. Është dashur të ndahen klasat. Është shtuar kapaciteti i punës për mësimdhënësit dhe menaxhmentin e shkollës”, ka thënë ajo.
Drejtoresha Shala si hallkë më të dëmtuar të arsimit gjatë pandemisë e ka konsideruar mosmundësinë e punësimit të mësimdhënësve zëvendësues.