Gazetari dhe aktivisti politik Blerim Shala ka theksuar se dallimi thelbësor mes protestave të vitit 1981 dhe atyre të vitit 1988 në Kosovë qëndronte në vetëdijen politike dhe në qëllimin strategjik të shqiptarëve të Kosovës.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, me publicistin Veton Surroi, Shala kujtoi se në vitin 1981 parulla kryesore ishte “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”, ndërsa në vitin 1988 dominonte thirrja “Krejt Kosova ka votu, Kushtetutën mos me e ndërru!”.
Sipas tij, fillimisht Kushtetuta e vitit 1974 shihej si e pamjaftueshme për të përmbushur kërkesat dhe vullnetin politik të shqiptarëve të Kosovës, por me kalimin e kohës u kuptua se ruajtja e atij statusi kushtetues ishte thelbësore për të avancuar më tej, sidomos në prag të periudhave të turbullta që po afroheshin në Jugosllavi.
“Ne e dinim që po vinin periudha të vështira, edhe pse nuk e dinim se do të shembej Muri i Berlinit dhe se do të ndodhnin lëvizje epokale në Evropë dhe botë”, u shpreh Shala, duke shtuar se shqiptarët e Kosovës u detyruan të hynin herët në histori përballë popujve të tjerë.
Ai theksoi se ngjarjet historike nuk njohin pendim dhe se zhvillimet e asaj kohe e çuan shoqërinë kosovare në pikën ku, në vitin 1988, mbrojtja e Kushtetutës së vitit 1974 u pa si domosdoshmëri dhe u bë me të gjitha mjetet.