Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shala i quan të palogjikshme e antikushtetuese ndryshimet në Kodin Penal ndaj dhunuesve

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut i ka cilësuar të palogjikshme dhe antikushtetuese propozimet e bëra për ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës, e që kanë të bëjnë me dënime plotësuese për kryerësit e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.

Me ndryshimet e propozuara, dënimet plotësuese përfshijnë ndalimin e kandidimit në pozita publike, punësimit në institucione publike, marrjen e lejes së vozitjes, pjesëmarrjen në ankande publike dhe ndalimin e aplikimit si investitor strategjik.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Shala ka thënë se KMLDNJ-ja s’është kundër ashpërsimit të ndëshkimit, por kundërshton “masat represive”.

“Ne më tepër jemi për krijimin e mekanizmave parandalues dhe forcimin e mekanizmave ekzistues që merren me këto raste, policia, prokuroria e gjykatat, duke rritur numrin e atyre që merren me këto raste, duke e shpejtuar procesin e trajtimit të këtyre rasteve. Me këto që është propozuar po fitohet përshtypja se po kërkohet alternativë ekskluzivisht represive në kohën kur për shumicën e veprave penale, paraburgimi konsiderohet si masë e skajshme. Vetëm kur shteren të gjitha mundësitë caktohet paraburgimi. Po kërkohet liberalizimi apo humanizimi i trajtimit të personave të privuar nga liria sepse duhet pasur parasysh që shteti me arrestimin apo dënimin e një personi që ka bërë vepër penale nuk e ka qëllimin të hakmerret ndaj tij, por që ta izolojë për një kohë që t’ia japë mundësinë të përmirësohet e të kthehet në shoqëri përmes riintegrimit. Këto masa jo që e përmirësojnë këtë, por e pamundësojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, përderisa ka rritje të rasteve, KMLDNJ-ja rekomandon ashpërsimin e masave ndëshkimore për kohë të caktuar.

Shala ka thënë se në këtë çështje ka edhe ngatërresa politike të panevojshme e se pushteti aktual po bie nën ndikim të opinionit.

“S’mundet as opinioni as politika të ndikojë në vendimmarrjen e prokurorisë dhe gjykatave. Është fushatë jashtëzakonisht e madhe ndaj gjykatave dhe prokurorisë. Është e vërtetë që ka pasur ndikim të politikës në të kaluarën, por jo në atë masë që të pushkatohen gjykata e prokuroria e që tash të hidhni poshtë punën që kanë bërë deri tash”, ka thënë Shala.

Edhe Shala: Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal dhe të Procedurës Penale, kundërkushtetuese Arbëri Shala: Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal dhe të Procedurës Penale, kundërkushtetuese

Sipas tij, s’ka kuptim që një të dënuari për dhunë në familje t’i hiqet patenta e shoferit.

“Ashpërsimi i masave ndëshkuese është porosia më e mirë apo mjeti më i mirë parandalues. Ndërkohë nëse ju, ndër kërkesat është që të dënuarit nuk duhet të përfitojnë asgjë, as nga shkurtimi i dënimit as privilegje të tjera, bie në kundërshtim të plotë me ligjin për sanksione penale. Si mund të kthehet si i shëndoshë në shoqëri nëse ia mohoni të gjitha. Cili është motivi i tij të përmirësohet. Ky është poshtërim civil”, ka thënë Shala që disa herë ka përsëritur bindjen se kodi do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese po që se dërgohet.

Shala ka thënë po ashtu se pavarësisht debatit për këtë çështje, pushtetarët i shtyjnë përpara vetëm propozimet që u shkojnë në favor. Sipas tij, me ndryshimet në Kod nuk mbrohen viktimat.