Arbëri

Shala: Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal dhe të Procedurës Penale, kundërkushtetuese

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, në një intervistë ne emisionin "60 Minuta" të KTV-së, ka thënë se pjesa më e madhe e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal dhe atij për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale nuk janë në rregull.

Sipas tij qëllimi i këtyre projektligjeve është legjitim, pasi që më to tentohet të luftohet sulmet seksuale, dhunime te dhuna në familje. Por sipas tij masat që janë zgjedhur për arritjen e këtij qëllimi janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës e Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut.

Nëse si të tilla ato miratohen, atëherë Shala ka thënë se duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

“Do të duhej ta dërgonin palët të cilat konsiderohen palë të autorizuara pranë Gjykatës Kushtetuese, në rastin konkret, do të duhej ta bënte Avokati i Popullit apo partitë e tjera opozitare”, ka theksuar Shala.

Dispozita që sipas tij është në kundërshtim më Kushtetutën është ajo për caktimin e paraburgimit.

“Aspekti i parë që është qartazi në kundërshtim me Kushtetutën është përcaktimi se në raste të caktuara që kanë të bëjnë me dhunimin dhe dhunën ne familje, Gjykata automatikisht duhet të shqiptoje masën e paraburgimit ... Sipas koncepteve bazë të drejtësisë penale, në secilin rast gjyqtari vlerëson dy çështje, nëse kemi të bëjmë me dyshim të bazuar se është kryer një vepër penale dhe nëse ka rrezik që i njëjti të ikë apo të ndikojë në dëshmitare, sipas ndryshimeve këto bien poshtë dhe në secilin rast do të obligohet që të caktojë masën e paraburgimit”, ka theksuar Shala.

Sipas tij me dispozita të tilla nuk mund të luftohet dhuna në familje. Ai ka thënë se ato janë dispozita hakmarrëse ndaj kryesve të dhunës.

“Janë dispozita abstrakte dhe jashtë kontestit, që në një farë forme shprehin një qasje shumë represive në raport me personat të cilët përfshihen në këto vepra penale dhe që në një far forme e kanë një frymë hakmarrëse ndaj këtyre personave ... qëllimi i dënimit duhet të jetë risocializimi i personit që kryen dhunën”, ka deklaruar Shala.

Ai ka folur edhe për dispozitën që kryesve të dhunës në familje u ndalon ngasjen e makinës ose marrjen e patentë shoferit.

“Ndalimi i marrjes së patentë shoferit është një qasje hakmarrëse në drejtim të jetës së personit”, është shprehur Shala.

Sipas tij është shqetësuese edhe dispozita që përcakton publikimit të aktgjykimeve që lidhen me dhunën në familje.

“Duke e ditur emrin e dhunuesit, në një shoqëri siç është Kosova, do të dihet edhe emri i viktimës e edhe emrat e fëmijëve. Paramendoni nëse përhapet lajmi së një fëmije në klasën e gjashtë a të shtatë ka probleme të tilla në familje, psikologjia e tij do të dëmtohet”, ka theksuar Shala.

Ai ka kundërshtuar edhe shkurtimin e afatit të hetimeve, pasi sipas tij kjo dispozitë është në favor të të pandehurve. Sipas Shalës në këtë formë koha që kryesi i dhunës mund t’i shmanget drejtësisë është me e shkurtër.

Ai ka thënë se të dyja këto projektligje janë miratuar pa kaluar fazën e konsultimeve publike.

“Nëse flasim për mënyrën se si janë draftuar këto dy projektligjeve, mund të themi se nuk është respektuar as Rregullorja për standardet minimale të konsultimit publik, pasi këto dy Projektligje janë miratuar në Qeveri pa dal fare në proces të konsultimit publik”, është shprehur Shala.