Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shala edhe dy muaj në paraburgim

Pjetër Shala

Pjetër Shalës i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj në Gjykatën Speciale.

Ky është shqyrtimi i 15-të i paraburgimit për të akuzuarin Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse ai dëshiron, të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e marta, 5 mars 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e marta, 12 mars 2024; dhe d. PËRCAKTON që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e premtja, 15 mars 2024”, thuhet në vendimin për shqyrtimin e 15-të të paraburgimit për Pjetër Shalën.

Në parashtrimet e veta, ZPS-ja kishte pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i domosdoshëm pasi që sipas tyre asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar që nga vlerësimi i panelit për shqyrtimin e kaluar të paraburgimit për Shalën.

Tutje, në vendim thuhet se ZPS-ja mban qëndrimin se rreziku i arratisjes ekziston duke argumentuar se gjykimi është drejt fundit dhe kjo gjë e rrit edhe me tej rrezikun.

Ndërsa, mbrojtja e Shalës ka thënë se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i paligjshëm. Mbrojtja ka deklaruar se i akuzuari nuk ka rrezik të ikën dhe se konkludimi i ZPS-së lidhur me këtë çështje, sipas tyre është spekulativ dhe i pabazuar. Në lidhje me masat alternative të paraburgimit, mbrojtja ka parashtruar se ekzistojnë masa të përshtatshme si ajo e arrestit shtëpiak.

Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm