Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shahini: Greqia përfiton mbi 1 milion euro nga qytetarët e Kosovës në vikend

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka konstatuar se shqiptarët e Kosovës po harxhojnë rreth 1 milion euro në Greqi në vizitat ditore që po zhvillojnë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se nëse vazhdon ky trend i udhëtimeve, diku 60 milionë euro do të shpenzojnë qytetarët në Greqi.

“Shteti grek përfiton mbi një milion euro nga kosovarët brenda pak ditëve të vikendit që shkojnë kosovarët në mënyrë të organizuar, individuale, dhe pas liberalizimit të vizave kosovarët kanë filluar ta ndryshojnë mendjen që të vizitojnë disa vende që nuk kanë pasur mundësi si Greqia që në të kaluarën ka qenë i preferuar, ashtu si Kroacia. Sipas një parashikimi tonë, brenda tri-katër ditëve të vikendit shkojnë më shumë se 2500 kosovarë, mesatarisht harxhojnë 400-500 euro dhe kjo e çon koston në mbi një milion euro”, ka thënë Shahini në emisionin “Sot”.

Me liberalizimin e vizave, Shahini thotë se janë hapur mundësitë për qytetarët e Kosovës dhe tani nuk e shohin vetëm Shqipërinë si vend pushimi por edhe shtetet që dikur i kanë ëndërruar t’i vizitojnë.

“Sezoni për ne në Shqipëri ka qenë 365 ditë, vikendet i kemi kaluar shumicën në Shqipëri, tash do të ndryshojnë edhe në Bullgari, Kroaci e Greqi”, është shprehur ai.