Me probleme të vendimmarrjes ka nisur edhe sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës. Nga 15 pikat e rendit të ditës që u shqyrtuan, deputetët arritën të kalonin vetëm dy. Për mungesën e efikasitetit të Kuvendit, por edhe për çështje politike që nuk ishin në rend dite, pati polemika mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.
Sesioni pranveror i Kuvendit ka nisur punimet me pikat e njëjta të rendit të ditës me të cilat ishte hapur 4 muaj më parë sesioni vjeshtor. Ka ndodhur kjo për shkak se Legjislativi nuk ka arritur t’i miratonte ligjet sipas afateve të parapara.
Opozita fajësoi mazhorancën për këtë.
“Kemi me dhjetëra pika të papërmbyllura në kuadër të kësaj agjende legjislative si pasojë e mosfunksionimit të duhur të kësaj mazhorance të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.
Mimoza Kusarit iu desh që edhe në këtë seancë hapëse të sesionit të angazhohej për t’i mbledhur deputetët e grupit parlamentar të partisë në pushtet, të cilin e udhëheq. Megjithëkëtë, ajo tha se përgjegjësia e pjesëmarrjes dhe vendimmarrjes legjislative duhet të ndahet mes pushtetit e opozitës.
“Arsyeja që ne jemi sot këtu, me vazhdimin e pikave të patrajtuara, po që është mungesë e efikasitetit tonë të përbashkët si legjislaturë në miratimin e projektligjeve”, ka thënë Kusari-Lila.
Në seancën hapëse të sesionit të ri u evidentua problemi i moçëm. Në mungesë kuorumi dështoi miratimi i pikave të rendit të ditës, të cilat u bartën për seanca të tjera.
Ka kaluar vetëm Projektligji për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, si dhe Raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.
E, ende pa i trajtuar projektligjet, nxiti polemikë kërkesa e PDK-së për shkarkimin e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila është dënuar nga Gjykata për mosdeklarim me kohë të pasurisë.
“Sot, kur kemi një vendim për dënimin e zonjës Hajdari, nuk e kuptoj se si zonja Hajdari ka guximin të vijë e madje të flasë para deputetëve të Parlamentit e të mos shkarkohet apo të dorëhiqet moralisht”, ka thënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
“Duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është. Nuk bëhet fjalë për mosdeklarim të pasurisë, por bëhet fjalë për deklarim të vonuar për dy ditë dhe atë në fundjavë”, ka thënë deputeti i VV-së, Adnan Rrrustemi.
Në këtë seancë nuk u shqyrtua propozim-rezoluta e LDK-së për mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë në 6 muajt e parë të vitit të kaluar, meqë në këtë parti thanë se i kishte humbur aktualiteti.
Ligjvënësit shqyrtuan raporte vjetore të institucioneve që nga 2020-a, por mungoi kuorumi për t’i miratuar ato.
Seanca u bë arenë përpalljeje edhe për çështje që nuk ishin në rend dite.
Pranë ulëses ku ulet kryeministri Albin Kurti, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, la një porosi, në shenjë proteste për përmbajtjen e një videodeklarimi që Kurti e publikoi në përvjetorin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Reagim nxiti edhe një video tjetër e partisë në pushtet, për të cilën shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se do ta padisë Vetëvendosjen.
“Ku e merr guximin ai njeri që e ka bërë atë video me ma vendos fotografinë time në një video inkrimunuese dhe të më fyejë”, ka thënë Tahiri.
Në këtë seancë deputetët zgjodhën Ahmet Imamin anëtar nga radhët e komuniteteve joshumicë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa për anëtarin nga komuniteti shqiptar votimi do të përsëritet në një seancë tjetër, meqë zgjedhja dështoi për një votë.