Vazhdon të mbetet e paqartë se kur do të marrë fund bllokada e Serbisë ndaj marrëveshjes së energjisë, e arritur në dhjetorin e 2013-s.
Për shkak të kësaj bllokade, Kosova po vazhdon të humbë miliona euro çdo vit, raporton KTV.
Me këtë marrëveshje, Kosovës i mundësohej të ketë kontrollin e plotë mbi rrjetin energjetik dhe anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtar e në anën tjetër, Serbisë i mundësohej formimi i një kompanie për veriun.
Mirëpo, e ardhmja e kësaj marrëveshjeje nuk dihet, pasi institucionet që tashmë e kanë në dorë çështjen e dialogut nuk kanë dhënë asnjë detaj.
Zyra e Presidentit të Kosovës nuk ka dhënë asnjë sqarim se cilat veprime do t’i ndërmarrë për të shtyrë përpara këtë marrëveshje.
Edhe
Moszbatimi i marrëveshjes për energjinë i kushton Kosovës me 10 milionë euro humbje
KTV-ja nuk ka marrë përgjigje as nga zyra e Federica Mogherinit.
Ndërkaq, shoqëria civile po kërkon që të mos zhvillohet asnjë takim tjetër pa një strategji të qartë se si të vazhdohet tutje faza e re e dialogut.
Krasniqi ka bërë të ditur se marrëveshja për energjinë duhet të jetë një nga pikat më urgjente për t’u zgjidhur.
Bazuar në marrëveshjen e arritur, kompania serbe është dashur të regjistrohej sipas ligjeve të Kosovës dhe këtë ka provuar tri herë ta bëjë në zyrën e regjistrimit të bizneseve në Ministrinë e Tregtisë, por duke i shkelur ligjet me qëllim.
Zyrtarë të saj nuk kanë dhënë detaje nëse kompania ka tentuar sërish të aplikojë.
E njëjta kompani ka pasur për të detyrë të nisë mbledhjen e borxheve edhe të shpenzimit të energjisë nga kjo pjesë dhe që deri tash, pjesa tjetër e vendit ka paguar energjinë e humbur që sipas disa përllogaritjeve, një konsumatori i kushton 55 euro për një vit.
Në mungesë të këtij hapi dhe anëtarësimit të Kosovës në ENTSOE, linja 400 kiliovoltëshe me Shqipërinë ende nuk ka hyrë në funksion, ndërsa KOSTT-i vetëm ka nisur të paguajë këstet e kredisë.
Kohavisioni ka bërë kërkese edhe në zyrën e Grupit KFW në Prishtinë, e cila ka financuar ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe me Shqipërinë, por zyrtarë të saj kanë thënë se për këtë çështje flasin vetëm drejtuesit e grupit në Gjermani.
Edhe
Kosovës dhe Shqipërisë u kërkohen masa ndaj Serbisë për linjën energjetike 400 kilovolt
Për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të Serbisë, Kosova humb brenda një viti
mes 3 dhe 5 milionë euro, ndërkaq nga mosfunksionimi i linjës 400 kilovoltëshe me Shqipërinë, deri më tani, humbjet kanë arritur në 1 milion euro.