Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Serbia s’u çlirua nga politikat gjenocidale” – nxit reagime kërcënimi i ministres serbe

Snezhana Paunoviq

Ka nxitur reagime në Kosovë kërcënimi i ministres serbe Snezhana Paunoviq, që ka thënë se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.

Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, ka thënë se kjo deklaratë tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe.  Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar ai në Facebook.

E në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, në një reagim në Facebook, kanë thënë se “përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”.

“Deklarata e Snežana Paunović, ministre në Qeverinë e Serbisë, e cila u shpreh se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën", rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 kanë qenë objekt i proceseve gjyqësore ndërkombëtare, ku udhëheqës të nivelit më të lartë politik, ushtarak dhe policor të regjimit të Millosheviqit u shpallën fajtorë për krime në Kosovë. Megjithatë, edhe sot, zyrtarë të lartë të shtetit serb vazhdojnë të përdorin retorikë që relativizon ose normalizon politika që prodhuan mijëra viktima, dëbime masive, dhunë seksuale dhe zhdukje me dhunë. Ndërkohë, në Kosovë vazhdon puna për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Në IKKL dokumentojmë faktet dhe dëshmitë me bindjen se ato janë themel për drejtësi, pranim të krimeve dhe kërkimfalje institucionale. Sepse përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, shkruhet në reagimin e Institutit në Facebook.

Edhe Ministrja në Qeverinë e Serbisë: Po të kisha qenë në vend të Millosheviqit, do e kisha spastruar etnikisht Kosovën Arbëri 13 o. më parë Ministrja në Qeverinë e Serbisë: Po të kisha qenë në vend të Millosheviqit, do e kisha spastruar etnikisht Kosovën

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqi, ishte shkaktari i luftës në Kosovë, vrasjes së mbi 13 mijë personave e dëbimit të një milionëve para 27 vjetësh.

Ai vdiq më 11 mars 2006 në Tribunalin e Hagës, i akuzuar, por i pa dënuar, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.