Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka reaguar pasi zëvendëspresidenti i Malit të Zi dhe ministri i Punëve të Jashtme të këtij shteti, Ervin Ibrahimoviq, shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Bashkim Evropian apo Këshill të Evropës.
Ibrahimoviq në një intervistë për televizionin shtetëror të Malit të Zi, TVCG, tha se “do të japë mbështetje të qartë kur pyetja është nëse Kosova duhet të jetë në Bashkim Evropian apo Këshill të Evropës”.
Ai tha se një qëndrim i tillë “nuk mund ta kërcënojë” koalicionin qeverisës, i cili përfshin edhe parti pro-serbe, “sepse Mali i Zi ka përparësi të qarta të politikës së jashtme”, ndër të cilat janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
“Mali i Zi njihet nga partnerët ndërkombëtarë si një vend që ushqen marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Prandaj, ne do ta mbështesim shtetin fqinj mik Kosovën, sepse është një përparësi e politikës së jashtme të jemi anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian e kjo nuk bie ndesh me atë rrugë”, tha Ibrahimoviq.
Ndaj deklaratave ka reaguar MPJ e Serbisë.
“Ministria shpreh shqetësim të thellë në lidhje me deklaratat nga Mali i Zi, në kontekstin e mbështetjes për pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë dhe lobimit aktiv për anëtarësim të Prishtinës në organizatat ndërkombëtare, gjë që është kundër të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, thuhet në reagim.
Në reagim thuhet se “deklaratat e tilla, me siguri, përkeqësojnë më tej tensionet rajonale dhe nuk kontribuojnë në stabilitetin në këtë pjesë të Ballkanit”.