Arbëri

Serbët shprehen konfuzë për dinarin

Te enjten ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës valuta e vetme zyrtare në Kosovë është euroja. Me gjithë paralajmërimin për një periudhë informuese për qytetarët serbë, të cilët ende përdorin dinarin, ajo nuk ka nisur nga institucionet e Kosovës. Vendimet e autoriteteve kosovare nuk janë mirëpritur nga qytetarët serbë

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është futur në fuqi të enjten, mirëpo në veri dhe në komuna të tjera me shumicë serbe, valuta e Serbisë, dinari ka vazhduar të qarkullojë.

Qytetarët serbë janë shprehur konfuzë në lidhje me vendimin për ndalim të valutave të huaja për transaksione me kesh, e disa prej tyre kanë shkuar edhe më larg, duke thënë se me këtë synohet të detyrohen serbët të shpërngulen.

“Qytetarët nuk janë të informuar dhe përgatitur me kohë dhe kjo do të shkaktojë katastrofë humanitare. Të rinjtë do të mësohen, por çka me ata që marrin pensione e ndihma humanitare, të cilëve posta ua ka sjell deri te dera”, ka thënë qytetarja Blagica Radovanoviq.

“Si të përgatitemi kur nuk na lejojnë t’i marrim pensionet dhe pagat. Asgjë nuk na mbetët, vetëm të largohemi. Ky vendim është largim me dhunë. Ai na shtyn të largohemi nga këtu. Nuk do të shkoj vetëm unë, por e gjithë familja ime. Jemi gjashtë dhe katër nga ne marrim paga në dinarë”, ka thënë Javica Llaziq.

“Unë jam përgatitur moti. Me vet faktin që jetoj këtu e di që ngadalë po përfundon gjithçka”, ka deklaruar Stanka Smiliq.

Pagesat në dinarë të enjten u bënë pa problem, derisa pati edhe qytetarë që thanë se vendimin për mospërdorimin e tij do ta zbatojnë nëse e bëjnë edhe të tjerët.

Institucionet e Kosovës të enjten nuk kanë sqaruar përmbajtjen e periudhës tranzitore që do të vlejë për informimin e qytetarëve që ende përdorin dinarin.

Është paralajmëruar një fushatë informuese, por ajo nuk ka nisur.

Njohësit e funksionimit financiar në veri të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me të.

Kontabilisti Halit Voca ka thënë se institucionet do të duhej të kishin një plan të qartë se si do ta zëvendësojnë dinarin me euro.

“Ne duhet të bëjmë një fushatë informuese me modalitetet, me forma të qartë dhe të jem jashtëzakonisht pranë qytetarëve...me një fushatë të mirëfilltë, pa politizime, pa tensione me përkrahjen e ndërkombëtarëve do të arrihet dhe do të vendoset një rend i mirëfilltë në këtë aspekt”, ka deklaruar ai.

E, ekonomisti Nysret Maxhera u shpreh se me hyrjen në fuqi të Rregullores së BQK-së ka marrë fund përdorimi i dinarit. Sipas tij, informimi i qytetarëve serbë për ndryshimet është lehtë i realizueshëm.

“Nëse Serbia jep dinarë atëherë le të konvertojnë, janë organet janë institucionet, janë këmbimoret të cilat merren profesionalisht me të dhe unë nuk e shoh se ku është pengesa. Ku është që s`ka me mujt me realizu të drejtat e veta”, ka thënë Maxhera.

Euroja është valuta e vetme zyrtare në Kosovë që nga viti 2002, por qytetarët serbë kanë vazhduar ta pranojnë e të kryejnë pagesa me dinarë.