Arbëri

Serbët kërcënojnë me largim nga institucionet e Kosovës

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se në një takim emergjent me të gjithë përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës do të propozojë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke përfshirë edhe vetë Rakiqin.

Deklarata e tij ka ardhur pas suspendimit të drejtorit të Policisë në veri, Nenad Gjuriq, pasi refuzoi t’i bindej vendimit për fletëqortime të atyre që refuzojnë t’i kthejnë targat ilegale të veturave në targa RKS.

“Dua të njoftoj se kam thirrur për të shtunën një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës, ku do të propozoj që të gjithë serbët të largohen nga institucionet në veri, duke nisur nga unë personalisht, dhe nga qeveritë lokale, prokuroria, gjykata, policia dhe të gjitha autoritetet tjera”, ka thënë Rakiq në një deklaratë për media.

Rakiq është ministër i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës.

Sipas tij, Gjuriqi është zgjedhur drejtor nga katër kryetarët e komunave në veri dhe se “Prishtina s’ka të drejtë të vendosë sanksione ndaj tij”.

Ndërkaq në një konferencë për media, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se suspendimi i drejtorit të Policisë në veri, Nenad Gjuriq, është fillimi i fundit të marrëveshjeve të Brukselit.