Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë do të kenë mundësinë që përmes postës ose përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, të votojnë në referendumin e organizuar nga Serbia për ndryshimet kushtetuese për gjyqësorin, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës për REL-in.
Sipas tyre, kjo është forma e vetme, përmes së cilës pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë do të votojnë në referendumin që do të mbahet më 16 janar.
Ata thonë se në mjediset e banuara me shumicë serbe nuk do të ketë hapje të vendvotimeve.
“Kemi ofruar mundësinë e votimit nëpërmjet postës ose nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, e cila edhe ashtu është derivat i marrëveshjes së arritur në Bruksel më 2012, për hapjen e zyrave ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë.
Nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë, e cila gjendet në ndërtesën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë temë.
Më 29 dhjetor të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është në dijeni që Serbia synon të mbajë referendum në Kosovë, porse ai nuk pajtohet për një gjë të tillë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë, jo vetëm për shkak se kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë, por edhe për shkak se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë aplikuar qeveritë e mëparshme, kanë qenë po ashtu në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës sonë... Ne jemi kundër dhe natyrisht që, si Qeveri, qëndrimi jonë është edhe veprim i yni”, ka thënë Kurti.
Po atë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar duke thënë se për moslejimin e mbajtjes së referendumit në mjediset serbe në Kosovë, do t’i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare.
“A do të reagoni kështu në qoftë se serbët në Kosovë do të ndalojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e tyre ose që, mos dhëntë Zoti, në veri të thonë se zgjedhje të tilla nuk do të ketë fare”, ka thënë Vuçiq.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të Quint-it më 6 janar, është shprehur e pakënaqur me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të mos lejuar referendumin.