Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Për lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë duhet të ketë marrëveshje

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se duhet të ketë marrëveshje me Serbinë në mënyrë që të lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe presidenciale dhe parlamentare në Kosovë.

Ai këto deklarata i ka bërë në një takim virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit, të hënën në mbrëmje.

Kurti ka shtuar se nuk duan t’ua pamundësojnë të drejtën e votës qytetarëve serbë në Kosovë, porse sipas tij, nuk mund të veprojnë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit.

“Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi”, citohet se ka thënë Kurti, derisa ka deklaruar se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it.

Gjatë bisedës u diskutua për situatën në rajon dhe sigurinë e rajonit pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë.

“Republika e Kosovës që nga fillimi ka shprehur solidarizimin me Ukrainën dhe popullin ukrainas gjersa pa hezitim ka dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse, duke iu bashkuar BE-së, ShBA-ve dhe botës demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu bëhet e ditur se është diskutuar edhe për një angazhim më të madh në fushën e diplomacisë ekonomike, duke filluar nga krijimi i kontakteve dhe urave lidhëse për të promovuar potencialin e Kosovës nëpër botë.

Edhe Kurti: Serbia të propozojë marrëveshje që t’i mundësohet komunitetit serb të votojë Arbëri Kurti: Serbia të propozojë marrëveshje që t’i mundësohet komunitetit serb të votojë

Kërkesën e Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka parë si kërkesë për njohjen e shtetësisë së Kosovës. Vuçiq, ka kërcënuar Kosovën dhe Malin e Zi me “pasoja afatgjate” nëse nuk lejojnë që brenda territoreve të tyre të organizohen zgjedhjet e Serbisë së 3 prillit.