Gjatë takimit që zhvilluan senatorët me një grup gazetarësh, që të dy bënë thirrje për përmbylljen e zbatimit të marrëveshjes këtë vit. Se marrëdhëniet me Serbinë i bëjnë telashe Kosovës në sigurimin e investitorëve të huaj e thotë edhe ekonomisti Visar Vokrri. Ai deklaroi se ndonëse sipas statistikave zyrtare ka pasur rritje të investimeve të huaja, në trendin e tyre ka pasur ndikim jostabiliteti politik
Një nga mesazhet kryesore që senatorët amerikanë, Chris Murphy e Gary Peters, lanë gjatë vizitës në Kosovë, të hënën, është se zbatimi i marrëveshjes me Serbinë është me ndikim në integrimet euro-atlantike dhe në tërheqjen e investimeve të huaja.
Gjatë takimit që zhvilluan të hënën mbrëma me një grup gazetarësh, që të dy senatorët bënë thirrje për përmbylljen e zbatimit të marrëveshjes këtë vit.
Se marrëdhëniet me Serbinë i bëjnë telashe Kosovës në sigurimin e investitorëve të huaj e thotë edhe ekonomisti Visar Vokrri. Ai deklaroi se ndonëse sipas statistikave zyrtare ka pasur rritje të investimeve të huaja, në trendin e tyre ka pasur ndikim jostabiliteti politik.
“Konsideroj që jostabiliteti politik na ka penalizuar për shkak se investitorët kur të marrin vendimet e tyre në tregjet e jashtme natyrisht që parashikojnë rrisqet e ndryshme që mund të ballafaqohen me to e rrisqet politike konsideroj që kanë peshë më të madhe dhe kjo i bënë që ata të jenë më hezitues në marrjen e vendimeve të tyre sa i përket hyrjes në tregun e Kosovës”, thotë ai.
Sipas tij, ndonëse siguria në vend nuk konsiderohet e brishtë, mospërmbyllja e procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një indikator në këtë drejtim.
“Përderisa në mediat botërore flitet për marrëdhëniet e acaruara në mes Kosovë dhe Serbisë dhe pamundësisë për të përmbyllur dialogun, unë konsideroj që kjo mund të jetë një pengesë që mund të ndikojë në hezitimin e investitorëve të huaj për të ardhur dhe investuar në Kosovë”, u shpreh Vokrri.
Pas Kosovës, dy senatorët Chris Murphy e Gary Peters e vizituan Shqipërinë. Ata, të martën, u takuan me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe me deputetë e anëtarë të shoqërisë civile.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte temë diskutimi në takimin me presidentin e Shqipërisë.
Zyra e Begajt njoftoi se në takim është theksuar nevoja e arritjes së një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore, që garanton njohjen e ndërsjellë.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke, do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit të Shqipërisë.