Thirrje që sivjet të zbatohen pikat e marrëveshjes, përfshirë edhe obligimin për themelimin e Asociacionit, kanë bërë të hënën senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, gjatë vizitës së tyre në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të cilët zhvilluan takime të ndara me senatorët, kanë thënë se Asociacionin do ta zbatojnë pa kushtëzime dhe në përputhje më Kushtetutën
Zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe obligimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është kërkuar nga senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët të hënën qëndruan në Kosovë. Kërkesat ata i shtruan në takimet e ndara me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ishte senatori Murphy ai i cili, mes tjerash, i bëri thirrje Serbisë që të mos pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
“Ne e dimë që kjo përfshin veprime të vështira për dy vendet. Serbia duhet të mos bllokojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Dhe ne besojmë që ka kuptim që t'i lejoni që komunat me shumicë serbe të kenë mundësi t'i koordinojnë shërbimet që ata i ofrojnë. Pra koha është e rëndësishme, ky është viti që kjo të përmbyllet”, ka thënë Murphy, duke theksuar se kjo do të mundësonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe arritjen deri të njohja reciproke.
Presidentja Vjosa Osmani ka ripërsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjes së arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë do të realizohet në përputhje me Kushtetutën.
“Kosova nuk do t'u ikë detyrimeve të saj, Kosova do të zbatojë secilin detyrim për të cilin është pajtuar si pjesë e këtij dialogu, përderisa e dinë të gjithë se marrëveshja thotë se të gjitha nenet e saj janë njësoj të rëndësishme. Siç e dini, komunat në Republikën e Kosovës kanë të drejtë të mblidhen në asociacione për të koordinuar punën e tyre, por e gjithë kjo në përputhje të plotë me Kushtetutën”, ka thënë Osmani, duke përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të lëshuar në vitin 2015, ku thuhet se marrëveshja e arritur në 2013, ku parashihej të themelohej Asociacioni, në 23 pika të saj nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Presidentja Osmani para senatorëve kërkoi ndihmë në luftimin e strukturave ilegale në veri.
“Ne shpresojmë që zëri i Senatit do të jetë i qartë kundër strukturave ilegale që po i terrorizojnë qytetarët serbë në veri të vendit e të cilët janë edhe pjesë e grupeve transnacionale të krimit të organizuar siç është thënë nga Thesari Amerikan”, ka thënë presidentja.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka thënë se zbatimi i marrëveshjes duhet të fillojë sa më shpejt dhe pa kushtëzime.
“Bashkëbiseduam edhe për raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me theks te Marrëveshja bazike dhe Aneksi i zbatimit. Ato përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime”, ka theksuar Kurti.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në njoftimin për media nga ky institucion, pohohet të ketë thënë se qëndrimi i shtetit të Kosovës, mbështetur edhe në garancinë e Departamentit të Shtetit, është se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës.
Peters: Nuk e di që ekziston ndonjë shtet tjetër në botë që ka miqësi me të fuqishme që e kemi ne dy shtetet
Në paraqitjen e senatorëve para mediave, raportet Kosovë-SHBA u vlerësuan si të veçanta. Senatori Peters ka thënë se Kosova është shteti më pro amerikan.
“Marrëdhënia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e veçantë, aq e veçantë saqë e kam pasur mundësinë të udhëtoja nëpër botë, dhe nuk e di që ekziston ndonjë shtet tjetër në botë që ka miqësi më të fuqishme që e kemi ne dy shtetet. Këtë e ndiejmë sa herë që vijmë këtu, ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të sigurohemi që demokracia të qëndrojë fuqishëm dhe të fuqizohet në të ardhmen”, ka thënë Peters.
E kryeministri Kurti ka deklaruar se për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve sa vijnë e thellohen.
“Dje filloi ushtrimi më i madh ushtarak në rajon Defender Europe 23, në të cilën Kosova këtë vit po merr pjesë për herë të dytë radhazi si vend mikpritës. Me 1 mijë ushtarë më shumë sesa në ushtrimin pararendës, jemi të katërtit sa i përket personelit ushtarak në mesin e 25 ushtrive të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kurti, duke përmendur disa nga marrëveshjet e arritura mes dy vendeve. “Në Washington DC nënshkruam marrëveshjen me MCC me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë, të dyja hapa gjigantë drejt tranzicionit të drejtë me pavarësim energjetik me energji të ripërtërishme në qendër”, shtoi kryeministri.
E për raportet mes dy vendeve ka folur edhe presidentja Osmani, e cila theksoi se Kosova është partneri kryesor i shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
“Republika jonë është e rreshtuar 100 për qind, me çdo vendim të politikës së jashtme dhe të sigurisë me SHBA-në dhe BE-në, siç është dëshmuar edhe në veprimet tona përkrahëse ndaj Ukrainës”, ka thënë presidentja, duke shtuar se raportet ndërmjet dy vendeve dëshmohen në bashkëpunimet e përditshme.
Gjatë deklarimeve para mediave të dy senatorët lavdëruan ekzekutivin për punën e bërë në luftimin e korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik.
“Progresi i juaj në ekonomi tregon për punën e juaj. Keni luftuar korrupsionin, keni mbrojtur ligjin, gjatë kohës suaj në krye të Qeverisë. Nuk është rastësi që për shkak të kësaj keni arritur zhvillim të madh ekonomik. Ne jemi këtu për t'ju falënderuar për përkushtimin tuaj për të luftuar korrupsionin e për të zhvilluar ekonominë”, ka thënë senatori Murphy.
Vizita e tyre u realizua disa ditë pasi Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit amerikan mbajti një seancë për politikën e Washingtonit në Ballkanin Perëndimor. Të dy senatorët gjatë javës do t’i vizitojnë edhe shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor.