Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Oda Amerikane: Kosova ta kuptojë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka vlerësuar se duhet përmbyllje sa më e shpejtë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që Kosova të lirohet sa më shpejt nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit

Duke u thirrur në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, në të cilin Kosova është paraqitur si një nga 10 vendet me rrezik për konflikt vdekjeprurës, OEAK-ja ka thënë se kjo pamundëson tërheqjen e investimeve të huaja.

“Oda Amerikane beson fuqishëm që Kosova duhet të lirohet sa më shpejtë që është e mundur nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit. Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i cili përmend Kosovën si njërën nga dhjetë vendet me rrezik për konflikt vdekjeprurës ose eskalim gjatë vitit 2024, rëndon më tej perceptimin negativ mbi Kosovën, e që pamundëson tërheqjen e investimeve cilësore të huaja. Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, si thirrje e vazhdueshme edhe e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në një reagim të kësaj Ode.

OEAK-ja mes tjerash, ka kërkuar nga ekzekutivi që të largojë masat aktuale të cilat ndalojnë hyrjen e produkteve nga Serbia, pasi vlerësojnë se kjo do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj.

“Si avokuese e fuqishme e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, Oda Amerikane vlerëson pozitivisht hapat e ndërmarrë nga Kosova dhe nga Serbia së fundmi për njohjen e targave të veturave, duke vlerësuar se hap tjetër me rëndësi do të ishte largimi i barrierave në tregtinë ndërmjet të dyja shteteve, duke i hapur rrugë zhvillimit të përshpejtuar ekonomik. Prandaj, Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të largojë masat aktuale të cilat ndalojnë hyrjen e produkteve finale nga Serbia, të cilat kryesisht godasin interesat komerciale të shteteve partnere të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Largimi i barrierave tregtare do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj, meqë ata konsiderojnë mundësitë të cilat u ofrohen nga qasja në tregje më të mëdha dhe përfitimi nga ekonomitë e shkallës në prodhim dhe distribuim” thuhet në reagimin e OEAK-ut.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane e shqetësuar me marrëdhëniet aktuale mes Kosovës dhe aleatëve të saj Arbëri Oda Ekonomike Amerikane e shqetësuar me marrëdhëniet aktuale mes Kosovës dhe aleatëve të saj

Sipas Odes Amerikane bashkërendimi i mëtejmë i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkim Evropian kanë për qëllim fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës duhet të vijojë të bëhet në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar, e kjo thuhet se përfshin edhe zbatimin e Rregullores së miratuar së fundmi nga Banka Qendrore e Kosovës për operacionet me para të gatshme, si dhe kërkesa për shtyrjen e dispozitave të saj të caktuara, me qëllim të lejimit të përgatitjeve të nevojshme për zbatim dhe eliminimit të pasojave të mundshme negative.

Tutje, OEAK u ka kërkuar institucioneve të degëve legjislative e ekzekutive të Republikës së Kosovës që të promovojnë dialogun e sinqertë publiko-privat, si mjet të rëndësishëm për formulimin dhe zbatimin e politikave, rritjet dhe zhvillimin ekonomik, reformat rregullative dhe efikasitetin e tyre, si dhe rritjen e besimin publik në qeverisje.