Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Senati i UP-së i shqipton masa disiplinore Hasanit, ai ankohet për shkelje

Enver Hasani

Senati i Universitetit të Prishtinës i ka shqiptuar masa disiplinore profesorit të Fakultetit Juridik, Enver Hasani. Në mbledhjen e mbajtur të premten, ky senat ka miratuar vendimin e Këshillit të Etikës së 14 korrikut 2025, me të cilin ish-rektorit Hasani i shqiptohet vërejtje me shkrim dhe i mohohet përfshirja në mentorim në të gjitha nivelet për një vit vijues.

Vendimi është marrë pas denoncimit që ia kishte bërë Avni Puka, drejtor i Fakultetit Juridik në UP, në gusht të 2024-s. Ai akuzonte Hasanin se gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024 nuk kishte mbajtur ligjërata; si dhe se ka dëmtuar imazhin e Juridikut.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pas pranimit të Vendimit gjegjës nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit të datës 23 janar 2026, Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi me shumicë votash vendimin e Këshillit të Etikës të datës 14 korrik 2025, me të cilin ish-rektorit dhe profesorit Enver Hasani i shqiptohen masa disiplinore për shkelje të rënda etike”, thuhet në njoftimin e Senatit për vendimin e së premtes.

Ndaj vendimit të Senatit ka reaguar të premten Hasani. Në një reagim drejtuar senatorëve, ai ka thënë se senatorët kanë rënë pre e një presioni. Ai ka hedhur akuza se rektori Arben Hajrullahu dhe dekani nuk është dashur të qëndronin në mbledhjen e thirrur, duke deklaruar se për këtë ekzistojnë vendime të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, “lidhur me konfliktin e interesit”.

Teksa ka hedhur akuza për titullin e doktoratës së Pukës dhe dyshime për falsifikim në vendimin e Këshillit të Etikës, Hasani ka thënë se situata “lë një njollë të rëndë mbi dinjitetin institucional të Senatit të Universiteti i Prishtinës”.

Ndërkaq më vonë, ai i është drejtuar me letër edhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Aty ai ka kërkuar sqarim për praninë e Hajrullahut dhe Pukës në vendimmarrje. Hasani ka kërkuar suspendimin e vendimit dhe sqarimin e plotë.

“Çfarë garancish juridike kam unë si qytetar nëse zyrtarët tuaj arbitrarisht kanë të drejtë të ndryshojnë vendimet tuaja të arsyetuara me faqe të tëra, përfshirë vendimin e para pak ditëve, vendimi DPKI 132/26, të datës 23 janar 2026. Zoti Hajrullahu sot hapur para senatorëve ka arsyetuar presionin e tij për vendimmarrje kundër meje, duke iu referuar udhëzimit gojor të dikujt nga Agjencia që ju drejtoni”, ka shkruar Hasani. “Kërkoj me mirësjellje nga ju si drejtues që të shfrytëzoni autorizimet tuaja ligjore për të suspenduar vendimin e sotëm të marrë në mënyrë të kundërligjshme deri në sqarimin e plotë të konfliktit të interesit. Është e drejta ime kushtetuese për një proces të drejtë e të paanshëm, i liruar nga çdo konflikt i interesit i atyre që vendosin për liritë dhe të drejtat e mia kushtetuese”.

Në gusht të 2024-s, dekani i Juridikut e kishte denoncuar për mashtrim ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Puka pretendonte që Hasani nuk i ka mbajtur orët për të cilat është paguar gjatë vitit akademik 2023-2024. Po ashtu, ai pretendonte se Hasani i ka marrë titujt akademikë në mënyrë të kundërligjshme, duke mos respektuar kohëzgjatjen e titujve paraprakë sipas Statutit.

E një vit më parë, Enver Hasani me një letër e kishte denoncuar Pukën duke thënë se ai ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali.

Rasti ndaj Hasanit u përcoll me përplasje të tjera brenda UP-së.