Profesori Enver Hasani e ka akuzuar dekanin e Fakultetit Juridik, Avni Puka, për presion dhe hakmarrje. Ai ka thënë se nën orkestrimin e Pukës, rektori Arben Hajrullahu do ta paraqesë në Senatin e Universitetit të Prishtinës rekomandimin e Këshillit të Etikës për masa ndaj tij gjatë ditës së sotme.
Puka e kishte denoncuar Hasanin me pretendimin se gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024 nuk kishte mbajtur ligjërata, kishte marrë thirrje akademike në mënyrë të kundërligjshme duke mos respektuar kohëzgjatjen e thirrjeve paraprake sipas Statutit të UP-së të vitit 2024 dhe kishte dëmtuar vazhdimisht imazhin e Fakultetit Juridik duke dhënë deklarata të ndryshme elektronike dhe audiovizuele. Këshilli i Etikës pati rekomanduar që Hasanit t'i shqiptohet vërejtje me shkrim dhe mohim të përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet për një vit vijues. Është në dorën e Senatit për ta konfirmuar vendimin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë një reagim të enjten (sot), në ditën kur do të mbahet mbledhja e Senatit, Hasani ka thënë se kryesuesi i Këshillit të Etikës, Flamur Hyseni, ka falsifikuar vendimin kundër tij. Sipas Hasanit, Hyseni ka falsifikuar procesverbalet e mbledhjeve me qëllim për ta ndëshkuar. Por kjo çështje, sipas Hasanit, nuk është ngritur asnjëherë nga rektori Hajrullahu.
Hasani tutje është shprehur se vendimi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ia bën të qartë Senatit se duhet ta shqyrtojë çështjen e falsifikimit të vendimit të Këshillit të Etikës për të.
“Në fakt, aty shprehimisht thuhet se pohimet për falsifikim te Flamur Hysenit, te bëra nga dy anëtar të Këshillit të Etikës, ‘e bëjnë të domosdoshme trajtimin e kësaj çështjeje paraprake nga Këshilli Etikës’ Asnjëherë rektori i Universitetit të Prishtinës nuk e ka ngritur zyrtarisht çështjen e akuzës për falsifikim nga ana e Flamur Hysenit, akuzë e bërë publike nga prof. Qëndrim Gashi dhe, e mbështetur në dokumentet e dorëzuara nga ana ime në organet e hetuesisë penale, edhe nga prof. Rajmonda Nallbani. Pra, dy anëtarë të Këshillit të Etikës kanë ofruar prova dhe kanë reaguar ndaj falsifikimit të bërë nga Flamur Hyseni”, thuhet në një reagim të Hasanit dërguar mediave.
Hasani ka ripërsëritur akuzat ndaj dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka, se ky i fundit nuk ka doktoruar në Fakultetin Juridik “La Sapienza” në Romë dhe se doktorata e mbrojtur në Prishtinë ishte plagjiaturë.
Për këtë, Hasani u është drejtuar anëtarëve të Senatit me një letër ku ka thënë se po “persekutohet” nga një “grupim i dirigjuar nga Avni Puka me të vetmin qëllim mbylljen e gojës sime”. Tri vjet më parë Hasani pati bërë deklaratën e njëjtë ndaj Pukës, derisa tash ka thënë se nuk është thirrur për të dëshmuar lidhur me rastin, por se përkundrazi ndaj tij janë riniciuar procedura disiplinore.
Hasani ka thënë se Senati nuk mund të “instrumentalizohet për agjenda personale të Avni Pukës”.
“Nëse kjo është mënyra e vetme për të qetësuar Arben Hajrullahun, deklaroj se jam i gatshëm, vullnetarisht, të heq dorë nga të gjitha titujt e mi akademikë, nga botimet dhe nga çdo privilegj institucional”, ka theksuar Hasani në letër teksa ka shtuar se është në dispozicion të provojë pretendimet e tij para Senatit.