Arbëri

Selimi: Programi “Agro” i USAID-it do të përfundojë në fund të shkurtit 2021

Fatmir Selimi, drejtor i programit “Agro” të USAID-it, ka thënë se programi “Agro” do të përfundojë në fund të muajit shkurt 2021.

“Programi "Agro" është duke u përmbyllur. Është një program që ka zgjatur gjashtë vjet, prej marsit 2015 dhe do të përfundojë në fund të shkurtit 2021. Ky program ka qenë i implementuar nga një kompani amerikane, si nënkontraktor i USAID-it Tetrateku. Gjatë kësaj periudhe kemi tentuar të rrisim konkurrueshmërinë në sektorin e bujqësisë, nëpërmjet të zinxhirëve të vlerës të kulturave bujqësore në Kosovë, të cilat veçse ishin identifikuar më parë nga një projekt tjetër”, ka thënë ai. “Tash kemi tentuar që me i testuar që këto kultura a mund të eksportohen dhe a mund ta arrijnë qëllimin që Kosova të hyjë me produkte të ndryshme”.

Selimi ka shtuar se projekti i mëparshëm dhe "Agro" janë projekte vetëm për bujqësi, sepse mendojmë që sektori i bujqësisë ka një potencial mjaft të lartë.

Sipas tij në zonat rurale ka pas një nivel të lartë të papunësisë sidomos te të rinjtë, te gratë dhe te minoritetet.

Selimi ka shtuar projekti fillimisht ka pasur 13 milionë dollarë, ka qenë vlera e saj, dhe prej tyre 3 milionë kanë qenë për grante.

"Më 2018 Ministria e Bujqësisë ka vendosur të na japë edhe 3 milionë euro dhe totali ka qenë rreth 17 milionë euro, prej të cilave 6.7 milionë dollarë kanë qenë grante për fermerët ose partnerët tanë strategjik", ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjatë këtyre gjashtë viteve, më 2015 kemi pasu vetëm shtatë milionë eksport, ndërsa në vitin 2020 kemi pasur 39 milionë eksport.

"Totali i vlerës ka qenë dikund rreth 165 milionë dollarë eksport. Që ka qenë tetë për qind më shumë se ajo që kemi parashikuar ne si projekt. Në të njëjtën kohë janë krijuar më shumë se 5400 vende të punës, të cilat nuk kanë qenë vende të punës që punojnë tërë kohës por edhe vende të punës sezonale. Mbi 4 mijë hektarë janë bërë me kultura të reja si dhe në të njëjtën kohë kemi pasur edhe certifikimin e mbi 1000 fermerëve me certifikata të ndryshme", ka thënë Selimi.