Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit “do të ndikojë në raportet mes Serbisë dhe Izraelit”.
“Izraeli vetë ka zgjedhur që interesat e saj të lidhura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të rëndësishme, dhe zgjedhja e SHBA-së mbi Serbinë është e drejtë e tyre legjitime. Ajo që është më e rëndësishme është ajo që ne s’kemi qenë pjesë e këtij procesi, sepse presidenti Aleksandar Vuçiq, nuk ka pranuar të nënshkruajë një ftesë të Izraelit për të njohur të ashtuquajturën Kosovë dhe anasjelltas”, ka thënë Selakoviq për televizionin kombëtar serb.
Ai ka thënë se “është tejet interesante dhe do të shohim nëse shtete myslimane dhe arabe do të njohin Kosovën”, duke shtuar se është i bindur që kjo s’do të ndodhë dhe do të jetë tejet e vështirë që të arrihet diçka e tillë.
“Kemi bërë përpjekje serioze në raportet tona me Izraelin në vitet e fundit, në raportet mes dy komeve, dhe s’jemi të lumtur për këtë. Është një indikacion se e gjithë kjo ndodhi me kërkesën e zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, për të arritur këtë. Do të shohim se a do të përpiqet kaq shumë për të kompletuar pikat tjera të marrëveshjes mes Serbisë dhe SHBA-së, të nënshkruara në Washington”, ka shtuar ai.
Se kur do të hapë Serbia ambasadë në Jerusalem, Selakoviq ka thënë “do të diskutojmë kur të vijë koha”.