Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, pas takimit që ka pasur me zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, njëherësh i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se është e papranueshme për Prishtinën që t’i shmanget, sipas tij, përmbushjes së detyrimeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe se retorika e kryeministrit Kurti "nuk i kontribuon asgjë dialogut", raportojnë mediat serbe.
“Mendojmë se është e papranueshme që Prishtina t’i shmanget përmbushjes së detyrimeve të saj, veçanërisht formimit të AKS-së, duke këmbëngulur vetëm në njohjen reciproke”, ka thënë Selakoviq.
Selakoviq më tutje tha se dialogu mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së është mënyra e vetme e duhur për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme midis dy palëve.
Siç raportojnë mediat serbe, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë gjithashtu i ka shprehur Palmerit shqetësimin e tij lidhur me sulmet sipas tij, të shpeshta fizike ndaj Kishës Ortodokse Serbe në të kaluarën.