Sektori privat, edhe pse sipas statistikave është punëdhënësi më i madh në Kosovë, mbetet nën hijen e sektorit publik, i cili vazhdon të jetë më i pëlqyer për punëkërkuesit.
Pagat më të larta, trajtimi i punëtorëve si dhe kontratat më të favorshme, janë disa nga arsyet që ceken nga punëkërkues dhe përfaqësues të bizneseve, si elemente që bëjnë sektorin publik më të pëlqyer për tu punësuar.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja pse sektori publik është më atraktiv për fuqinë punëtore është siguria ekonomike dhe ndjenja që njerëzit krijojnë se kanë një vend pune më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.
Sipas tij, në sektorin publik mbrojtja e të punësuarve është më e madhe dhe rrjedhimisht njerëzit orientohen të punojnë aty.
“Pagat në sektorin publik janë rritur përgjatë viteve në mënyrë signifikante, ashtu që pastaj të gjithë, qofshin ata të punësuar ekzistues në sektorin publik ose të punësuarit e mundshëm, pra të sapo të diplomuarit e kanë parë vetëm sektorin publik si mundësi për të zhvilluar karrierën e tyre. Kjo është kundërshtim ndoshta me të gjitha praktikat e tjera ndërkombëtare ku zakonisht sektori privat është ai që ofron kushte më të mira dhe mundësi më të mëdha për zhvillim të karrierës dhe avancim të të punësuarve”, thotë Zeka.
Edhe
Sektori publik vazhdon të jetë më i preferuar për punësim sesa ai privat
Adnan Selimi i cili është në kërkim të një vendi pune, thotë se preferon sektorin publik për punësim dhe jo atë privat. Sipas tij, janë shumë arsye që puna në sektorin publik është më atraktive.
“Sektori publik respekton Ligjin e punës, nuk shkel të drejtat e punëtorëve, po ashtu pagat janë më të larta, orari i punës është i rregullt 8 orë dhe jo 12 e 13 orë sa punohet në sektorin privat. Të gjitha këto më bëjnë të preferoj punësimin në sektorin publik”, thotë ai.
Ngjashëm shprehet edhe një qytetar tjetër, me emrin Hysni Nimani.
“Sektori privat nuk mbron punëtorët, kushtet e punës nuk janë të mira, nuk ka siguri financiare, nuk ka kontrata pune dhe të largojnë nga puna kurdo që ata duan”, thotë ai.
Nga hulumtimet e bëra nga përfaqësues të cilët mbrojnë të drejtat e punëtorëve ishte theksuar se sektori privat është shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 85 mijë qytetarë janë të punësuar në sektorin publik, kurse në sektorin privat janë të punësuar rreth 250 mijë punëtorë.
Dallimet sa u përket kushteve të punës ne mes sektorit privat dhe atij publik janë të mëdha duke filluar nga pagat. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 384 euro, ndërsa në sektorin publik paga mesatare është rreth 500 euro.
Edhe
Sektori privat nuk po arrin të ndjek trendin e rritjes së pagave
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka shton se sektori publik e ka shfrytëzuar mundësinë e ngritjes së pagave edhe për sigurimin e pushtetit, gjë që siç thotë ai, ka ndikuar në vendimet e shpeshta për ngritje të pagave.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në REL.