Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sekretarja zvicerane e shtetit: Raporti Kosovë-Serbi, çelësi për rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të martën Sekretaren e Shtetit e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu, ku ka theksuar vullnetin për forcim të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim, Leu ka përgëzuar Kurtin për përpjekjet në luftimin e korrupsionit “dhe indikatorët pozitivë ekonomikë”.

“Po ashtu potencoi rëndësinë që ka kjo në sigurinë juridike dhe ndikimin në tërheqjen e investimeve në vend”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit thuhet se u ritheksua gatishmëria e të dy qeverive për të konkretizuar edhe më tej bashkëpunimin në ekonomi dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Lidhur me situatën gjeopolitike në rajon dhe Evropë, Leu uroi Kurtin për pozicionimin e qartë me demokracitë perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

“U theksua zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Sekretarja Leu tha se Ballkani është shumë i rëndësishëm për Zvicrën dhe se raporti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është çelësi për këtë rajon”, thuhet më tej në njoftim.