Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës alarmon se Serbia nuk po i ofron siguri fizike

Fatmir Haxholli

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka alarmuar se Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe ka ndalur së ofruari siguri fizike për të si diplomat. Në një reagim në Facebook të premten, Haxholli ka thënë se nuk po mbrohet më as nga Marrëveshja e Brukselit si instrument ndërkombëtar.

“Dëshiroj ta ndaj edhe publikisht, që në shkelje flagrante të marrëveshjes së Brukselit, Serbia ka ndaluar së ofruari siguri fizike 24/7 për mua si zyrtar/diplomat, dhe poashtu nuk ofron as siguri mobile. Pavarësisht ankesave dhe kërkesave kjo praktikë po vazhdon. Çfardo që mund të më ndodh gjatë shërbimit tim në Serbi - mes tjerash - është përgjegjësi e drejtëpërdejtë e Serbisë!” ka shkruar ai.

Haxholli e ka cilësuar këtë veprim si precedent të rrezikshëm.

“Sigurisht që këtij vendi nuk i konvenon ndonjë prezencë diplomatike e Republikës së Kosovës në Beograd, dhe aq më pak ngritja e statusit diplomatik siç parashihet sipas marrëveshjes për njohje de facto”, ka deklaruar ai teksa ka shtuar se Kosova nuk duhet ta pranojë “kamuflimin e veprimeve kundër zyrës nga institucionet e këtij vendi, me potencial rrezikshmërinë dhe ekspozimin fizik e ligjor”.

Nuk është hera e parë që Haxholli ka alarmuar për mungesë të sigurisë në Serbi. Në fund të shtatorit, ky diplomat e cilësoi shtetin serb si më të pasigurtin dhe më të rrezikshmin për kosovarët, pas lajmit se një 19-vjeçar nga Kosova vdiq si pasojë e therjes me thikë në pikën kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë.

Haxholli ishte po ashtu zyrtari i parë i Kosovës që njoftoi për lirimin e policëve të kidnapuar nga Serbia në qershor.