Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sejdiu ironizon me deklaratën e Kurtit për Prishtinën

00:09 - Ish-nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, ka ironizuar me deklaratat e kryetarit të kësaj partie Albin Kurti, se Prishtina është si një xhungël.

Ditë më parë Kurti kishte thënë se Prishtina, që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti i cili së fundmi u dorëhoq nga VV-ja, është kthyer në xhungël betoni.

Si kundërpërgjigje ndaj tij, Sejdiu që në mandatin e parë të Ahmetit ishte nënkryetar i Prishtinës, ka thënë me ironi se “të mirat në Prishtinë janë bërë vetëm nga ata që kanë mbetur në Vetëvendosje”.

“Edhe Liburn Aliu edhe Xhelal Sveçla (ish-drejtorë në Komunën e Prishtinës) i kanë ndalur ndërtimet pa leje. Shpend Ahmeti nuk ka qenë fare në Prishtinë. Krejt meritat në Prishtinë i kanë ata që kanë mbetur në Vetëvendosje. Të tjerët s’kanë bërë gjë”, ka thënë Sejdiu, që tash është shef i Grupit Parlamentar Deputetët e Pavarur, në Interaktiv të KTV-së.

Sejdiu ka folur edhe për ndarjen e fondeve për Grupin e Deputetëve të Pavarur, si dhe për kërkesën që Aida Dërguti të largohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, pozitë që e kishte marrë sa ishte pjesë e VV-së.

Sipas Sejdiut, VV-ja i ka thënë grupit prej 12 deputetëve të larguar nga kjo parti se çështjen e ndarjes së financave duhet ta ndjekin përmes institucioneve ligjore. Ai ka bërë të ditur se një gjë të tillë GDP u ka kërkuar për shkarkimin e Aida Dërgutit.


Sejdiu: Në politikë duhet të jemi të aftë të gjykojmë se kur një metodë ka kuptim, e kur jo

Dardan Sejdiu, shef i Grupit të Deputetëve të Pavarur ka thënë në Interkativ të KTV se fatkeqësisht deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro marrëveshjes së demarkacionit, duke thënë se kjo ia humb Kosovës 8200 hektarë.

Ai ka thënë se liberalizimi i vizave do të duhet të ndodhte moti, sikur Kosova të kishte Qeveri që e luftonte korrupsionin e krimin e organizuar.

Kundërshtimi i deputetëve që ai përfaqëson, e që u cilësua i butë, Sejdiu ka thënë se nuk mendon se “metoda duhet të bëhet qëllim në vete”.

“Ata erdhën me 80 vota në Kuvend”, ka thënë Sejdiu, përcjell Koha.net. “Ne qëndrimin tonë e kemi bërë të ditur edhe gjatë tri viteve edhe dje me votë kundër”, ka thënë më tej ai.

Kritikave pse këta deputetë nuk kanë folur më shumë, Sejdiu i është përgjigjur se Visar Ymeri dha mendimin e përbashkët të të gjithë këtyre deputetëve.

“Si do të ndryshonte cilësisht prezantimi i 11 fjalimeve të përsëritura tash e tri vjet”, ka thënë Sejdiu.

“Beteja për demarkacion ka ndodhur, vota kundër tregon qëndrimin tonë, në politikë nuk duhet të jemi peng të metodës, por duhet të jemi të aftë të gjykojmë se kur një metodë ka kuptim, e kur ajo metodë është e pakuptimtë”, ka thënë më tej Sejdiu.

Sipas tij, mesazhi më i qartë politik do të ishte sikur në procesverbalet e Kuvendit të Kosovës të mbetej se 31 deputetë kanë qenë kundër demarkacionit.

“Fatkeqësisht kemi mbetur vetëm 11 deputetë kundër. Gazi është vendim i tyre (deputetëve të Vetëvendosjes v.j.), dhe nuk më takon ta gjykoj”, ka thënë Sejdiu.

Ai është pyetur edhe për votën pro të ish-bashkpartiakës së tij Donika Kadaj Bujupi, që pas çarjes së Vetëvendosjes, la këtë parti për t’u rikthyer te AAK-ja e aktualisht kryeministrit, Ramush Haradinaj.

“Jam i habitur, nuk kam si të them ndryshe. Donika, njëjtë si të tjerët kanë qenë kundër kësaj marrëveshje. Por nuk më takon të gjykojë pse Donika ose dikush tjetër ndryshoi mendje”, ka thënë ai.

Artikuj të ngjashëm