Seanca urgjente e Kuvendit të Komunës së Prizrenit për shqyrtimin e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për zyrat e partive politike është shtyrë për në orën 13:00, shkaku i mospranisë së kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.
Bashkëpunëtorët e tij kanë njoftuar këshilltarët e pranishëm në KK se kryetari ka pasur agjendë të paracaktuar. Pas kësaj informate, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Simir Krasniqi, ka kërkuar që seanca të shtyhet për në orën 13:00, duke qenë se kërkesa e këshilltarëve opozitarë për shqyrtimin e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për zyrat e partive politike deri në përfundimin e zgjedhjeve komunale i është drejtuar kryetarit të Komunës.
Ndërsa Karanfil Haxhillari i VV-së ka propozuar që shefat e grupeve të këshilltarëve në orën 13:00 të takohen me kryetarin e Komunës për të diskutuar për këtë temë. Edhe nënkryetari i Komunës, Visar Shehu ka theksuar se më e arsyeshme është që shefat e grupeve të këshilltarëve të takohen me kryetarin.
Në vijim kuvendarët e partive të ndryshme kanë diskutuar rreth këtyre dy propozimeve, me ç`rast Shukri Quni i Nismës ka kërkuar që Kuvendi ta marrë një vendim për këtë çështje, ndërkohë që organet tjera mund ta shqyrtojnë më pastaj ligjshmërinë e këtij vendimi.
Meqë nuk arrihej dakordimi se cili propozim të miratohet, është kërkuar një pauzë disa minutëshe për koordinim mes shefave të grupeve të këshilltarëve. Pas kësaj pauze, kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj ka njoftuar se seanca shtyhet për në orën 13:00, me qëllim që edhe kryetari të jetë i pranishëm.
Partitë opozitare në Prizren po insistojnë që ekzekutimi i vendimit për largimin e tyre nga zyrat aktuale, që janë pronë komunale të shtyhet dhe për këtë arsye kanë iniciuar edhe mbajtjen e seancës urgjente të Kuvendit të Komunës.