Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar që të nisë të mërkurën prej orës 11:00. Siç bëhet e ditur në një njoftim nga Drejtoria për Media e Kuvendit, në rend të ditës janë dy pika – zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Të hënën u publikua aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit. Kushtetuesja ka dhënë arsyetimet se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve, afat që nis të rrjedhë nga e marta.
Sipas aktgjykimit, kalimi në votim të fshehtë për të cilin insistonte Lëvizja Vetëvendosje nuk është mbështetur edhe nga subjektet tjera, rrjedhimisht kryesuesi është urdhëruar që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës - procedimi i votimit të kryeparlamentarit.
Kushtetuesja në Aktgjykim nuk i përmend pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e konstituojnë Kuvendin brenda afatit të përcaktuar.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan ta finalizojnë atë me zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.
Emri fillestar i VV-së për kryeparlamentare ka qenë Albulena Haxhiu.
-
Kuvendi mblidhet pas vendimit të Kushtetueses
-
Kushtetuesja i obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh
-
Seanca e Kuvendit të hënën, në rend dite miratimi i deklaratës lidhur me vendimin e Speciales
-
Vazhdimi i seancës thirret për orën 14:00
-
Sot vazhdimi i seancës konstituive, në rend dite zgjedhja e nënkryetarëve