Arbëri

Së shpejti linjë autobusi nga Prishtina në Aeroport

Së shpejti do të lëshohet për qarkullim linja e autobusit nga Prishtina për në Aeroportin e Prishtinës. Për këtë sot është nënshkruar marrëveshja ndërmjet ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ky i fundit ka thënë se tani do të formojnë një komision i cili do të përcaktojë orarin dhe çmimin e biletës, i cili sipas tij do të jetë më i lirë se çmimi i taksive, raporton KTV.

“E kemi nis një diskutim për linjë e autobusit prej Prishtinës për në aeroport. Kjo është linjë pronë e ministrisë sepse është ndërkomunale. Kemi arrit marrëveshje që ne si komunë me trafikun urban të organizojmë këtë linjë. Ideja është që çmimi të jetë më i lirë se me taksi. Është çudi që nuk e kemi pasur deri më tani”, ka thënë Ahmeti.

“Edhe ky nënshkrim shkon në favor të qytetarëve. Të kemi linjë të rregullt qarkullimi për në aeroport. Ne kemi shpall interes publik por kompanitë nuk kanë qenë të interesuara por në dakordim me komunën po e plotësojmë këtë kërkesë. Me kryetarin kemi edhe projekte ne infrastrukturë, ne duhet që së pari të pyetët i zoti i shtëpisë. Në të ardhmen do të mbështesim komunën në projekte që janë në interes të qytetarëve”, ka thënë Lekaj.