Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Save the Children dhe Syri i Vizionit e shënojnë Ditën e Fëmijëve me ekspozitë te NEWBORN-i

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve - 20 Nëntorit, organizatat Save the Children dhe Syri i Vizionit me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), do të përurojnë ekspozitën e përkohshme kushtuar kësaj dite në monumentin e NEWBORN.

Aktiviteti do të mbahet sot, duke filluar nga ora 13:00 tek monumenti në fjalë. Me këtë rast, në këtë monument fëmijët do të shpalosin porosi si “I WANT TO BE BORN AND GROW UP IN A WORLD WHERE I HAVE RIGHTS... to be alive, to quality education, healthcare... (Dua të lind dhe të rritem në një botë ku kam të drejtën për jetë, për arsim cilësor, përkujdesje shëndetësore...), FREE OF COVID (Pa COVID) dhe të drejtat tjera që përfshihen në Konventën për të Drejta të Fëmijës.

Në këtë përurim do të marrin pjesë përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Save the Children, Syri i Vizionit si dhe përfaqësuesit e fëmijëve nga grupet avokuese të fëmijëve ‘Respect Our Rights’ dhe grupi avokues për fëmjët me aftësi të kufizuar ‘Hëna’ të cilët do të kenë mundësinë që përmes një fjale rasti t’i paraqesin sfidat dhe kërkesat e fëmijëve të Kosovës në realizimin e të drejtave të tyre të garantuara me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Save the Children, Syri i Vizionit si dhe fëmijët e grupeve avokuese ‘Respect Our Rights’ e ‘Hëna’ do të lansojnë fushatën UNË PA DHUNË, e cila ka për synim ngritjen e vetëdijes për efektet dhe ndikimin e dhunës tek fëmijët. Kjo vjen pas raportimeve të shumta shqetësuese të ngritjes së rasteve të dhunës në familje gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Po ashtu, gjatë të njëjtës ditë do të mbahet një takim online i fëmijëve me Komisionin Parlamentar për Arsim, ku do të paraqitet raporti për ndikimin e COVID-19 në arsimimin e fëmijëve.

Këto aktivitete janë pjesë e fushatës ‘Rrite me Dashni’ e cila zbatohet nga Save the Children në bashkëpunim me Syrin e Vizionit dhe financim nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Fushata ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e respektimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë duke u bazuar në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.