Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka komentuar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka thënë se devijimi i përmbajtjes së Kushtetueses në një element që nuk ka qenë objekt as i kërkesës së VV-së e as vetë Gjykatës nuk është gjë tjetër veçse dashakeqësi.
Sallahu thotë se këto rrethana nuk mund të vlejnë në raste të tjera për faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtesese nuk ka efekt prapaveprues në këtë rast.
Sipas tij, kandidatët e tjerë që janë dënuar me dënim me kusht në vitin 2018 janë lejuar të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare. Sallahu shton se në atë kohë kufizimi nuk ka ndodhur për shkaqe që tashmë dihen e që janë në përputhje me ligjet në fuqi.
“Nga ana tjetër, kur ndodh, kufizimi për të mos kandiduar do të duhet të jetë ‘kufizim i pandërprerë’ për aq sa janë afatet ligjore e kushtetuese. Përndryshe çdo veprim tjetër nga autoritetet përkatëse, do të ishte në kundërshtim me parimin e drejtës së fituar, i cili është parim i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare publike dhe i rrënjosur si element i sundimit të ligjit brenda përmbajtjes së rendit kushtetues të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar ai.
Edhe
Sallahu për Supremen: Turpi juaj nuk do të harrohet, keni qenë të ndikuar politikisht
Sallahu shton se të vepruarit ndryshe do të ishte në kundërshtim flagrant me nenin 7, 33 dhe 45 të Kushtetutës së Kosovës si dhe me konventat dhe aktet ndërkombëtare përkatëse.
Andaj, ai deklaron se rasti i tillë nuk mund të vlejë për kandidatët që kanë pasur vendime për dënime alternative.
Ndërkohë avokati Tomë Gashi ka thënë se nuk i ndalohet Albin Kurtit të kandidojë për deputet me vendimin e Kushtetueses.
“Kushdo që nuk e ka të qartë se Albin Kurti ka të drejtë të kandidojë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, po ju jap edhe disa sqarime:
1. Albin Kurtiti i është shqiptuar sanksioni penal, dënim me kusht në vitin 2018, kur në fuqi ka qenë Kodi Penal nr04/L-082 i shpallur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 19 tetor të vitit 2012.
2. Me dispozitën e nenit 100 të këtij Kodi Penal, thuhet se: “Pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet dënimi me kusht apo vërejtja gjyqësore ose kur kryesi lirohet nga dënimi”.
Me dispozitën e nenit 3, pika 1, të këtij Kodi Penal, parashihet zbatimi i ligjit në kohën e kryerjes së veprës penale. Andaj në rastin e z. Albin Kurti, është e qartë se dënimi me kusht i shqiptuar në vitin 2018 nuk prodhon kurrfarë pasoje juridike. Më qartë se kaq nuk mund të jetë as për ata që i frikësohen pa nevojë ardhjes së shpejtë të Qeverisë Kurti II dhe Albin Kurtit kryeministër!” – ka shkruar Tomë Gashi në Facebook.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se tentativa për të krijuar rrethana të paqena, të pabaza dhe të pasakta pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke i futur gjithë dhe të gjitha veprat në një thes është e papranueshme dhe e gabueshme.
Edhe
Rikonfirmohet ndalesa e kandidimit në zgjedhje të personave të dënuar
“Ne çdo herë ju kemi paralajmëruar kur dikush ka tentuar të cenojë demokracinë dhe drejtën edhe pse kanë bërë obstruksione, në fund ka dalë ajo që kemi thënë dhe kështu do të jetë gjithnjë sepse ne jemi krahu i së drejtës dhe kurrë s'kemi synuar diçka që nuk na takon”, ka thënë ajo.
Ajo ka shkruar se “këto ditë caktohet data e zgjedhjeve të reja që do të jenë manifestim solemn i demokracisë ku Lëvizja Vetëvendosje!, listës që do t'i prijë Albin Kurti do të marrë mbështetjen e fuqishme popullore”.