Ismet Salihu, profesori i së drejtës penale, ka vlerësuar se një pjesë të fajit për mosndriçimin e krimeve të luftës i kanë edhe ndërkombëtarët, të cilët sipas tij, deri në vitin 2014 nuk i lanë organet e Kosovës t’i hetojnë krimet e luftës.
“Deri në vitin 2014, kompetencën ekskluzive për hetimin e krimeve të luftës e kanë pas ndërkombëtarët. Nëse organet e ndjekjes vendase kanë filluar hetimin e një të dyshuari apo disa të dyshuarve për krime të luftës, menjëherë lënda i është marrë nga ndërkombëtarët. Një pjesë të fajit për mosndriçimin e kriminelëve të forcave serbe për ato masakra, për mijëra të vrarë, e kanë edhe ndërkombëtarët”, ka thënë Salihu në “60 Minuta” të KTV-së.
Prokuroria Speciale e Kosovës të premten ka njoftuar se ka ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona për krime lufte në Kosovë. 53 të akuzuar janë për Masakrën e Mejës, ku vdiqën mbi 350 civilë shqiptarë. 88 të dyshuar janë nën hetim për Masakrën e Dubravës.
Këto statistika i ka mirëpritur profesori Salihu, i cili ka thënë se kjo u mundësua falë ndryshimeve në kodin e procedurës penale më herët këtë vit.
“I mirëseardhur [për njoftimin e Prokurorisë], është një lloj satisfaksioni, edhe pse i vonuar. Përveç Masakrës së Mejës, janë rreth 103 masakra të kryera nga forcat serbe gjatë viteve ’98 – ’99. Këto ngritje të aktakuzave janë mundësuar pas plotësim/ndryshimit në kodin e procedurës penale, me të cilën mundësohet hetimi, ngritja e akuzës dhe dënimi në mungesë të të dyshuarve”, ka deklaruar Salihu, duke shtuar se kjo punë duhet të vazhdojë edhe më shumë.
Edhe
Mbrojtja lë pa nisur seancën për Masakrën e Mejës dhe atë për dëbimin e shqiptarëve
Për të pasur më shumë sukses, sipas Salihut, duhet edhe institucionet e tjera ta bëjnë punën e tyre, “veçanërisht Policia dhe Instituti për Hulumtimin e krimeve të luftës”.
Salihu ka thënë se i ka propozuar autoriteteve relevante që ta rrisin urgjentisht numrin e prokurorëve dhe policëve që punojnë me hetimin e krimeve të luftës.