Trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt-Foglia, ia ka vazhduar masën e paraburgimit Salih Mustafës, i cili akuzohet për krime lufte.
Në bazë të vendimit, paneli ka konstatuar se Mustafa nuk përbën rrezik për arratisje dhe se një rrezik i tillë, edhe sikur të ekzistonte, mund të zbutet në mënyrë adekuate nga kushtet që do t’i vendosen atij në pajtim me nenin 41(12) të Ligjit dhe rregullin 56(5) të Rregullores.
Mirëpo, paneli ka konstatuar se ka rrezik të pengimit të procedurave nga ana e Mustafës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Paneli është mbështetur në një sërë faktorësh, të konsideruar në tërësi: (i) njohuria e të akuzuarit për akuzat dhe dënimi i mundshëm i gjatë, nëse dënohet, mund të shërbejë si nxitje për të, nëse lirohet, të ndërhyjë me viktimat dhe dëshmitarët dhe/ose familjet e tyre; (ii) njohuritë e të akuzuarit për identitetin e të gjithë dëshmitarëve të ZPS-së, lidhjet e tij me aparatin e inteligjencës së Kosovës, përvoja e tij si oficer i inteligjencës, marrëdhënia e tij me disa nga dëshmitarët dhe shtrirja e kufizuar e çështjes e bëjnë më të lehtë për të që potencialisht ndërhyjnë me viktimat dhe dëshmitarët, dhe/ose familjet e tyre, dhe në përgjithësi, për të penguar mbarëvajtjen e procedurës; (iii) disa dëshmitarë të mbrojtur kanë dëshmuar për rastet në të cilat ata dhe/ose familjet e tyre janë nënshtruar kërcënimeve (indirekte) dhe frikësimit dhe kanë shprehur frikën për të dëshmuar në këtë procedurë”, thuhet në vendim.
Tutje, thuhet se dëshmitarët i janë referuar një klime të përgjithshme të ndërhyrjes dhe frikësimit që mbizotëron në Kosovë kundër personave që kritikojnë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë të akuzuarin.
“Dhe (v) ekziston një rrezik serioz që – edhe kur është në paraburgim – i akuzuari do t’ua zbulojë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur të ZPS-së personave të tjerë të akuzuar që aktualisht janë në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, thuhet në këtë vendim.
Sipas vendimit, paneli konstaton se ka arsye të arsyeshme për të besuar se rreziku i pengimit të ecurisë së procedurave të Dhomave të Specializuara, siç parashikohet në nenin 41 (6) (b) (ii) të Ligjit, vazhdon të ekzistojë.
“Paneli rikujton se paraburgimi duhet të vazhdojë vetëm nëse nuk ka masa më të buta që mund të zbusin mjaftueshëm rreziqet e përcaktuara në nenin 41 (6) (b) (i)- (iii) të Ligjit”, thuhet tutje.
Po ashtu, thuhet se paneli nuk konstaton se i akuzuari është mbajtur në paraburgim për një periudhë të paarsyeshme.
Në këtë rast, në shtator të këtij viti, pritet që palët të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
N[ aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimiPërDrejtësi