Aktivistja politike Anita Shabani-Cacaj, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje po synon të futet në zgjedhje si viktimë, në mënyrë që të mos ketë nevojë për bashkëpunim me partitë opozitare.
Shabani-Cacaj në emisionin “Konfront” në KTV, tha se plani i Kurtit ndryshoi rrugës sepse opozita e refuzoi koalicionin me të, ndërsa rritjet e shtesave e ndarjen e 100 eurove e quajti fushatë.
“Albin Kurti ka tentuar të shkojë në zgjedhje dhe po ashtu ka tentuar që ta formojë edhe qeverinë dhe gjatë rrugës ka bërë një plan tjetër të cilin e thotë edhe sot se nuk mund të garantojë se mund të bëjë koalicione e ta formojë qeverinë nëse nuk i fiton 50% të votave të qytetarëve. Kurti ka ndryshuar rrugës qëndrimin sepse nuk i shkoi opozita në koalicion. Rritjet e shtesave, ndarja e 100 eurove fushatë ka qenë. Dëshiron të hyjë në zgjedhje si viktimë dhe të mos ketë nevojë për opozitën”, deklaroi Shabani-Cacaj.
Dakaj: Kurti s'do qeveri, kërkon kauzë për të synuar 51-përqindëshin
Gazetari Shkëlzen Dakaj ka thënë se projeksioni i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka qenë që të krijojë kauza, e se nuk ka dashur që ta krijojë qeverinë e re qysh nga fillimi.
Ai ka shtuar se Kurti ka tentuar ta krijojë narrativën se shteti mund të funksionojë edhe me qeveri në detyrë dhe se nuk ka krizë institucionale, derisa synimi i Kurtit, sipas Dakajt, ka qenë 51 përqindëshi.
“Një argument që me jep se Albin Kurti nuk ka dashtë të bëjë qeveri. Sa deklarata e ke dëgju Albin Kurtin kur thoshte ‘Kosova nuk është në krizë institucionale, Kosova ka qeveri, ka ministri, ka mekanizmat e shtetit’, dojke me minimizu krijimin e qeverisë se thoshte se ne e kemi problemin vetëm në Kuvend. Arsyeja është pse nuk e jepke dorëheqjen, që dojke me qëndru. Krejt këta janë faktorë që Albin Kurti nuk ka dashtë me kriju Qeverinë Kurti 3. Sot i dëgjon një pjesë të madhe të tyre (LVV) duke thënë ‘ne synojmë 50+’. Ky ka qenë projeksioni, që Albin Kurti do të krijojë kauza”, ka thënë Dakaj.
Gashi sheh mundësi që PDK-ja ta votojë Konjufcën kryeministër
Avokati Tomë Gashi ka thënë se ka mundësi që Partia Demokratike e Kosovës ta votojë kandidatin e VV-së për kryeministër, Glauk Konjufca, në seancën e Kuvendit që pritet të thirret brenda ditësh.
Ai ka shtuar se tërheqja e Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të PDK-së ka qenë lëvizje e mirë për vetë atë, pasi sipas tij, partia mund të vendosë tani ndryshe nga qëndrimi që ka pasur deri tash për votimin për kryeministër të një kandidati të VV-së.
Gashi ka thënë se PDK-ja do të fitonte poena politikë me votimin për Konjufcën.
“Ka bërë potezë të mirë Krasniqi edhe për veten që është tërheqë për shkak të asaj që pritet të ndodhë. Besoj se deri në fund të kësaj jave apo fillimi i javën së ardhshme që të kemi një seancë të Parlamentit ku do të dalë Konjufca si i nominuar nga VV-ja për kryeministër, mund të ketë befasi sepse kjo nuk është e rastësishme. Mendoj që do n dodhin marrëveshje brenda vetë partisë se a do ta votojë PDK Konjufcën si kryeministër, nëse e bëjnë këtë PDK-ja do të fitonte poena politikë sepse do të dilte një parti që do të thoshte se është në interes të shtetit”, u shpreh ai.
Gashi: Një akademik i LDK-së e shau me nënë, Kurti e votoi për nënkryetar
Avokati Tomë Gashi, ka folur edhe për bllokadën e krijuar prej muajsh dhe gjuhën e përdorur, duke iu referuar shprehjes së kryeministrit në detyrë Albin Kurti që iu tha pjesëtarëve të opozitës së atëhershme “hajvanë”, dhe ka thënë se ky nuk është shkaku pse po refuzohen ofertat për bashkëpunim.
Avokati Gashi në emisionin “Konfront” në KTV, deklaroi se një akademik i LDK-së, e shau me nënë Albin Kurti por ky e votoi si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
“Ju e dini një person, një akademik i LDK-së ia ka sharë nënën në Parlamentin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, e harroi mikrofonin hapur. Albin Kurti më pastaj e votoi për nënkryetar të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Nuk janë inate pse dikush dikujt i thotë diçka sepse te ne shqiptarët ka njerëz që vrahen e shkon në burg 20 vjet por Albini si tolerant e votoi si nënkryetar të Parlamentit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Gashi në “Konfront”.
Sadiku: Rasti Lladrovci ia ka humbur PDK-së edhe disa komuna të tjera
Gazetari Naim Sadiku, ka deklaruar se dorëheqja e Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të PDK-së, e ka shpëtuar këtë parti që të mos humb më shumë në elektorat.
Sadiku në emisionin “Konfront” në KTV, vlerësoi se fokusi i madh i PDK-së në Drenas dhe inati me kandidatin Ramiz Lladrovci, ia humbi edhe mundësinë të fitojë në më shumë komuna.
“Dihet afërsia e Ramiz Lladrovict edhe me familjen Jashari. Në çdo dalje të tij nga PDK-ja ose një formacion tjetër politik do ta përgjysmonte PDK-në në zgjedhje, jo vetëm për ta arritur rezultatin që ka, se për t’u rritur as që bëhet fjalë por do të nënkuptonte përgjysmim të votave. Dorëheqja e tij e tejkalon këtë rrezik, e bashkon partinë dhe mund të hyjë me një shpresë për rritje në zgjedhje me një kryetar të ri siç mund të jetë Bedri Hamza. Krejt ky përkushtim i PDK-së në zgjedhjet komunale, duket se Drenasi ja ka humb edhe disa komuna të tjera. Mbase edhe një a dy komuna të tjera mund t’i fitonte po mos ta kishte këtë inati që u lidh mes partisë dhe Ramiz Lladrovcit dhe gjithë ky përkushtim në Drenas”, deklaroi Saidiku.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Ramiz Lladrovci fitoi pa balotazh në Komunën e Drenasit me subjektin “Për Drenasin Kampion”. Lladrovci garoi si i pavaruar pasi PDK-ja vendosi të garonte me Petrit Hajdarin.