Ministri Rrustem Berisha i ka quajtur sulme ndaj FSK-së kërkesat për largim nga ky institucion, që janë bërë nga pjesëtarët e minoritetit serb, raporton KTV.
Deri tani, më shumë se 40 serbë të FSK-së kanë kërkuar largimin, për çka ministri Berisha shprehu keqardhje, pasi, sipas tij, pjesëtarët nuk janë lejuar të vendosin lirshëm për të ardhmen e tyre.
Presioni i shtetit të Serbisë ndaj pjesëtarëve të FSK-së që vijnë nga minoriteti serb, ka rezultuar me më shumë se 40 kërkesa për largim.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, në një konferencë për media, ku foli për këtë çështje.
Berisha ka shprehur keqardhjen e tij për këtë situatë, ndërsa ka thënë se kjo po bëhet qëllimisht për ta dëmtuar kredibilitetin e FSK-së.
Ende nuk është vendosur për kërkesat për largim, ndërsa FSK-ja do të mbetet e hapur për pjesëtarët e minoriteteve, ka thënë Berisha.
Në fund të muajit prill të këtij viti, në pika kufitare me Serbinë ishin ndaluar tre pjesëtarë të minoritetit serb, pjesë e FSK-së.
Ata ishin liruar pas mbajtjes, ndërsa e gjithë kjo ishte pjesë e një fushate të Qeverisë serbe për t’i larguar nga FSK-ja serbët e Kosovës.
Madje, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kishte bërë thirrje që të mos bëhen pjesë e FSK-së serbët e Kosovës, duke i kërcënuar me burgim deri në 10 vjet.
Së fundmi, ndaj largimit të minoritarëve serbë nga FSK-ja, ka reaguar edhe ambasadori Greg Delawie, duke e quajtur frikësimin e tyre si të papranueshëm.