Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sa do të zgjasë tërheqja e njohjes së Kosovës nga Liberia

Liberia e ka tërhequr njohjen e Kosovës, është njoftuar sot në Beograd nga ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq. Notën e tërheqjes Daçiqit ia ka dorëzuar personalisht ministri i jashtëm i Liberisë, Gbehzohngar Milton Findley, raporton KTV.

Në Prishtinë, ministri Behgjet Pacolli e ka mohuar kategorikisht njohjen, duke e quajtur letrën të rrejshme.

Në mesin e disa marrëveshjeve të nënshkruara, Serbia thotë se ministri i jashtëm i Liberisë, Gbehzohngar Milton Findley, e ka dorëzuar letrën e tërheqjes së njohjes së Kosovës.

Lajmin e ka interpretuar në konferencë shtypi me homologun e tij afrikan, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq.

‘Para se ta thotë edhe vetë, ai e ju do ta merrni shpejt edhe notën verbale edhe përkthimin e saj, ajo që është thelb i asaj që miku dhe vëllai im më tha është se Republika e Liberisë, që e ka njohur Kosovën në vitin 2008, ka marrë vendim për ta anuluar njohjen e Kosovës, derisa vazhdon dialogu me ndërmjetësimin e BE-së’.

Edhe Pacolli mohon tërheqjen e njohjes nga Liberia Arbëri Pacolli mohon tërheqjen e njohjes nga Liberia

Mediat serbe nuk sjellin ndonjë deklaratë me zë të ministrit Findley, por e citojnë letrën që shpjegon arsyet e tërheqjes së njohjes.

Në të thuhet se vendimi për njohjen kishte ardhur me përshtypjen se Serbia nuk ishte e gatshme të bisedonte për një zgjidhje për provincën e saj jugore, Kosovën.

‘Meqë bisedimet po vazhdojnë nën udhëheqjen e BE-së, është e udhës që Liberia të marrë një qëndrim që i lejon gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme nëpërmjet negociatave ndërmjet Serbisë dhe Provincës së Kosovës. prandaj, Liberia e tërheq letrën e njohjes së Kosovës. Vendimi mbetet në fuqi deri në sa negociatat nën udhëheqjen e BE-së të mos përfundojnë”, thuhet në letrën, autenticiteti i së cilës nuk është verifikuar ende.

Lajmi për tërheqjen e njohjes e ka tronditur ministrin e jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili nëpërmjet një komunikate dhe një postimi në Twitter ka thënë se Liberia nuk e ka tërhequr njohjen.

‘Sapo fola me Qeverinë e Liberisë dhe ata më konfirmuan se Liberia nuk e ka tërhequr njohjen e Kosovës. Lajmi dhe nota e shpërndarë nga mediat serbe është e rrejshme dhe është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme me lajme të rrejshme nga ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq. Ne do të ndërmarrim masat tona”, ka shkruar Pacolli.

Edhe Media serbe: Liberia ka tërhequr njohjen e Kosovës Arbëri Media serbe: Liberia ka tërhequr njohjen e Kosovës

Lajme për tërheqje njohjesh ka pasur edhe më herët. Beogradi ka thënë se kanë ndodhur, e Prishtina i ka mohuar lajmet.

Përndryshe, kur ministri i jashtëm i Liberisë ia ka uruar Daçiqit fitoren e Serbisë kundër Kosta Rikës, ky ka thënë se ka qenë kënaqësi e veçantë dhe hakmarrje e ëmbël, pasi që ky ishte shteti i parë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.