Vendi i gjashtë, sipas Beogradit, që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, është Papua Guiena e Re. Gazeta “Blic” e Beogradit thotë se lajmi për këtë i është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, transmeton Koha.net.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, qysh javën e shkuar kishte paralajmëruar se më 27 qershor kishte marrë notën shtetërore të një vendi për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por ai nuk ka dashur atëherë ta bëjë publike se për cilin vend bëhej fjalë, porse kishte thënë se nuk bëhej fjalë për “një vend afrikan, por për një tjetër pesë herë më të madh se Serbia, dhe që para gjashtë-shtatë vjetësh ka njohur Kosovën”.
Ai atëherë gazetarëve ua prezantoi hartën në të cilën me ngjyra të gjelbra ishin të shënuara vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, kurse ato me të kuqe – që e kanë njohur. Daçiq u kishte thënë gazetarëve se “vendet më të fuqishme, pa i llogaritur ato perëndimore, nuk e kanë njohur Kosovën”.
Sipas tij, Prishtina ka një listë të pasaktë të vendeve që e kanë njohur Kosovën, meqë në të tash pesë vjet është edhe Sao Tome e Principe, e cila qysh më 2013 përmes një note ka bërë të ditur se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Papua Guinea e Re, e cila ka njohur Kosovën më 2012 ndodhet në Azinë Juglindore, në anën lindore të ishullit Guinea e Re, derisa pjesa perëndimore e ishullit i përket Indonezisë. Shteti Papua Guinea e Re shtrihet në arkipelagun Bismarck, në ishullin Bougainville dhe ka rreth 600 ishuj.
Edhe
Pacolli demanton Daçiqin, me Papua Guinean e Re thotë kemi marrëdhënie të shkëlqyera
Deri tash, sipas Beogradit, pesë vende kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – Liberia, Surinami, Sao Tome e Principe, Guinea Bisao, Burundi dhe tash Papua Guinea e Re, transmeton Koha.net.
Mirëpo, MPJ e Kosovës ka mohuar njoftimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë. Rasti i fundit ka ndodhur me Liberinë. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli u paraqit bashkë me presidentin e këtij vendi, i cili shfaqi dëshirën që në Prishtinë të hapë ambasadën, rikujton Koha.net. Portali ka provuar të flasë me zyrtarë të MPJ-së, por një gjë e tillë, të enjten mbrëma ka qenë e pamundur.