Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rusinovci: Periudha më e vështirë pas Luftës së Dytë Botërore për ushqim

Profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë se kjo do të jetë periudha më e vështirë që pas Luftës së Dytë Botërore sa i përket krizës ushqimore. Rusinovci thotë se konflikti në Ukrainë dhe pasojat e COVID-19 e kanë sjell këtë gjendje.

“Ne jemi duke u karakterizuar me pasojat e COVID-19, me periudhën e konfliktit. Edhe vendet që patën trend normal të zhvillimit u kapën pa përgatit nga këto kriza, e lëre më vendet e Ballkanit e sidomos ne. Siguria ushqimore është faktor shumë i rëndësishëm. Mungesa e ushqimit shpie në anarki të shpejt, për 72 orë. Sektorit të bujqësisë duhet t’i kushtohet tretman i veçantë. Edhe pas 23 vjetëve, bujqësia jonë karakterizohet me prodhim të pamjaftueshëm”, ka thënë Rusinovci në “60 Minuta” të KTV-së.

Megjithatë, profesori i bujqësisë shprehet se Kosova nuk do të ketë uri ekstreme, meqë ndodhet “mes një kryqëzimi tregtar”.

“Sipas OKB-së, vendet afrikane do të kenë problemet sociale. Ukraina është një nga vendet ku shtetet afrikane marrin grurin. Kjo krijon pasoja dhe ç’rregullon çmimet edhe në vendet e tjera”, ka thënë ai.

Sipas Rusinovcit, produktet bazë duhet të kenë një monitorim dhe kontroll më të saktë të shtetit.

Disa pjesë të botës rrezikohen nga mungesa e ushqimit si pasojë e bllokimit të porteve të Ukrainës nga Rusia. Sipas OKB-së, afër 50 milionë njerëz mund të përballen me uri si pasojë e krizës së shkaktuar nga lufta.

Artikuj të ngjashëm