Arbëri

Rugovasit i japin 48 orë afat Prokurorisë për të anuluar ndalesën për bartjen e materialit ndërtimor

Në pikën e kontrollit në hyrje të zonës së Rugovës, të martën nuk është parë asnjë kamion i ngarkuar me material ndërtimor që kishte për adresë ndonjë nga 14 fshatrat e Rugovës.

Një ditë më parë Policia ka kthyer mbrapa me dhjetëra automjete të ngarkuara, bazuar në urdhëresën e Prokurorisë Themelore në Pejë për ndalimin e bartjes së materialit ndërtimor në funksion të ndërtimeve pa leje.

Ndaj kësaj urdhërese, përfaqësuesit e banorëve të Rugovës, të martën në një konferencë për media, mbajtur në hyrje të zonës së Grykës së Rugovës, afër Patrikanës, kanë shprehur kundërshtimet e tyre. “Jemi mbledhur për ta kundërshtuar një vendim që mund ta quajmë të turpshëm. Pikë së pari vendimin që e ka zbatuar Policia në mënyrë të turpshme pa e pasur një urdhëresë, më të cilin këta e ndalojnë materialin ndërtimor në Rugovë. Prandaj ne sot në emrin e banorëve e kundërshtojmë fuqishëm dhe kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të vendimit nga ana e prokurorit për ndalimin e materialit ndërtimor në Grykën e Rugovës”, tha Flamur Rexhbogaj, kryetar i Bashkësisë Territoriale “Rugova 2”.

E në qoftë se vendimi nuk anulohet, Rexhbogaj tregoi se rugovasit do të nisin me protesta deri në zgjidhjen definitive të çdo detaji lidhur me çështjen e Parkut Nacional në Rugovë.

Në këtë takim për media, përfaqësuesit e 14 fshatrave të Rugovës kërkuan që vendimi i prokurorisë të pezullohet menjëherë, deri në momentin kur të miratohet dhe të zbatohet plani hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna, përkatësisht zonën e Rugovës, dhe për këtë dhanë një afat kohor.

“Kërkojmë nga gjitha institucionet që brenda 48 orëve të pezullohen këto vendime, të cilat janë marrë për popullatën e Rugovës dhe trevën e Rugovës. Ne si përfaqësues të banorëve nuk marrim përgjegjësi për eskalimin e situatave të ndryshme”, tha Agron Nikçi, kryetar i Bashkësisë territoriale “Rugova 1”. Nikçi tha se sipas banorëve të Rugovës, ky është një vendim i paligjshëm, i pamatur dhe në situatë të pandemisë i paqëlluar për krijimin e situatave të tensionuara.

“Ne si përfaqësues të popullatës së Rugovës, kemi dal ta njoftojmë opinionin dhe gjitha institucionet si dhe ta sqarojnë këtë punë dhe të mos e qojnë popullatën e Rugovës në një situatë të palakmueshme pandemike. Këto vendime, për neve si banorë janë me tendencë dhe këto po bëhen pikërisht për pronat private në Rugovë dhe për Rugovën, sepse brenda parkut nacional nuk ka tjera vende të cilat gjinden banorë rezidentë siç jemi popullata e Rugovës. Prandaj edhe një herë apeloj te prokuroria, te Polica, te Komuna, te Qeveria, te ministrat... te të gjithë, që të anulohet ky vendim sa më shpejtë të jetë e mundur, që të mos lejohet që në këtë situatë të pandemisë të shkaktohen situata të padëshirueshme”, tha Nikçi.

Vendimin e Prokurorisë për ndalesën qarkullimit të mallrave në një territor të caktuar, avokati rugovas, Adem Nikqi e ka konsideruar si shumë të rrezikshme.

“Materiali ndërtimor sipas ligjeve në fuqi nuk është mall i paligjshëm. Kemi të bëjmë me një dokument deri tash jotransparent dhe banorët e Rugovës janë të diskriminuar. Me këtë dokument që është ndaluar qarkullimi i materialeve ndërtimore në zonën e Rugovës, sipas meje edhe formalo-juridikisht është i parregullt. Prandaj kjo është një praktikë e keqe, e dëmshme dhe shumë e rrezikshme, sepse çfarëdo prokurori nesër mundet me dhënë një urdhër me blloku Junikun, me blloku Deçanin...”, tha avokati Nikqi.

Përfaqësuesit rugovas në këtë konferencë për media, i kanë vënë në pyetje kompetencat e Prokurorisë, se ajo nuk ka pasur të drejtë të lëshojë vendime e urdhëresa, por vetëm të akuzojë kryerësit e veprave penale.

Në Prokurori e kanë mohuar se nuk kanë drejtë të lëshojnë edhe urdhëresa, pasi sipas zëdhënësit të Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, kjo është e rregulluar me ligj dhe janë marr masa për parandalimin e veprave penale, në këtë rast degradimit të ambientit dhe ndërtimeve pa leje në zonën e parkut kombëtar. Sipas tij, ky veprim i prokurorisë nuk është sjell vetëm në rastin e Rugovës, por vlen për gjithë territorin e shtrirjes së parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” në Pejë, Istog, Deçan e Junik, komuna këto që janë edhe nën kompetencën e kësaj Prokurorie.

“Ajo se çfarë është thënë se prokurori i shtetit nuk ka të drejtë të ndërmarrë veprime parandaluese, por vetëm të akuzojë, nuk qëndron për shkak se në bazë të neneve 7 dhe 8 të detyrave të Prokurorit të Shtetit, parashihen edhe veprimet parandaluese, në rastin konkret siç janë marr për mbrojtjen e ambientit në zonën parkut kombëtar”, tha Nikçi.

Në mbështetje të kërkesave të rugovasve dhe kundër vendimit të prokurorisë ka dalë edhe shoqëria civile në Pejë, e cila këtë ndalesë të bartjes së materialit ndërtimor në Rugovë e ka quajtur veprim joligjor dhe jokushtetues.

“Si shoqëri civile jemi në mbështetje të banorëve për shkak se ky është një veprim joligjor dhe jokushtetues, pasi me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, garantohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave. Institucionet tona duhet të kenë kujdes të madh. Kjo konferencë nesër mund të jetë diçka tjetër, mund të jetë e pakontrollueshme. Pra, duhet me u marrë me këtë çka po themi ne, përndryshe do të duhet me u marr me qytetarët që e kanë humbur durimin e tyre dhe janë jashtëzakonisht të shqetësuar me atë se çka po ndodh”, tha Veton Mujaj, drejtori i OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë.

Sipas tij, treva e Rugovës nuk e meriton këtë çka po i bëhet dhe se është kundër çdo forme të keqpërdorimeve.

“Ne jemi kundër çdo ndërtimi pa leje kur të na e mundësojnë me marr lejen. Por shteti i ka fajet se neve nuk po na e mundëson me marr lejen. Prandaj, duhet që sa më shpejtë të miratohet plani hapësinor për parkun kombëtar në mënyrë që njerëzit të kanë mundësi t’i marrin lejet dhe të mos jetë kjo zonë e veçantë sikur të jemi në një kopsht zoologjik, e jo në një kopsht ekologjik. E derisa nuk bëhet plani hapësinor, ky vendim nuk ka asnjë lloj fuqie për asnjë banor të Rugovës e as për shoqërinë civile”, u shpreh Mujaj.

E këto leje ndërtimi, Komuna e Pejës nuk po mund t’i lëshojë për shkak të mungesë së planit hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët Nemuna”, i cili që shtatë vjet pret të miratohet nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.