Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin, i cili është duke dëshmuar me autorizimin e Qeverisë Amerikane, tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.
Ai pohoi se forcat serbe kanë mbuluar krimet, duke i fshehur provat që të mos ketë llogaridhënie pas arritjes së NATO-s në Kosovë. Pra, që të mos ketë prova të disponueshme për Tribunalin për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, Rubin pohoi se Qeveria serbe nuk po vepronte sipas asaj që kuptohet si luftë konvecionale, por po vepronin si kriminelë për t’i fshehur krimet.
“Është karakteristikë që kemi parë në Bosnje dhe përsëri në Kosovë… ata gjithmonë janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në. Pra, Qeveria Serbe. Kjo është mënyra që ata e justifikonin atë që po bënin duke hedhur fajin tek të tjerët”, tha ai.
Rubin përmendi edhe një takim që kishte pasur me Jakup Krasniqin në Bruksel, ku Krasniqi i kishte kërkuar ndërhyrje ushtarake të Amerikës, armatosjen e UÇK-së dhe ndalimin e spastrimit etnik nga Slobodan Millosheviq.
Dëshmitari tha se kërkesat e Krasniqit ishin racionale në atë kohë, por ishte e pamundur që të realizoheshin në atë periudhë kohore.
Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit për dëshmitarin dhe do të vazhdojë me pyetje Prokuroria, përfaqësuar nga prokurori James Pace.
Prokurori Pace tha se i duhen 4 orë për pyetjet e tij.
Përfaqësueset e Qeverisë amerikane japin vërejtje
Në seancën e së hënës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, gjatë dëshmisë së James Rubin, të pranishme janë edhe dy përfaqësuese të qeverisë amerikane, Terra Gerhersanem dhe Joana Corner. Njëra prej tyre mori fjalën duke treguar se kur iu duhet të ndërhyjnë gjatë dëshmisë së James Rubin.
Ajo tha se dëshirojnë që të japin vërejtje ndaj Rubinit dhe pyetjes që i është bërë atij për dhënie të informacionit me hollësi lidhur me burime konkrete dhe përfundime të nxjerra nga persona brenda qeverisë amerikane dhe në veçanti atyre të inteligjencës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ndërhyrje të shkurtër në emër të ShBA-së, siç e keni parë me siguri dëshminë në mëngjes, ne synojmë që të mos ndërhyjmë këtu, prania jonë mos të ndërpres seancën përveç se në rastet kur është e nevojshme. Për të bërë këtë, ne ndihmohemi nga dokumente që zoti Rubin ka përdorur dhe të cilave iu është referuar qoftë publike apo dokumente të brendshme që janë deklasifikuar. Ne donim të jepnim një vërejtje të shkurtër sa i takon zotit Rubin dhe pyetjes që i është bërë atij për dhënie të informacionit më në hollësi lidhur me burimet konkrete dhe përfundimet nga të tjerët brenda Qeverisë amerikane, në veçanti të inteligjencës. Në këto raste kemi nevojë të ndërhyjmë. Deshëm që këtë ta bëjmë të qartë”, tha ajo.
