Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrustemi: Radoiçiqi të ekstradohet në Kosovë për të dhënë përgjegjësi ligjore

Adnan Rrustemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se organizatori i sulmit të 24 shtatorit në veri, Millan Radoiçiq, duhet të ekstradohet në Kosovë dhe të japë përgjegjësi ligjore në gjykatat e Kosovës.

Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Rrustemi ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Është farsa e radhës e Serbisë, në njërën anë i glorifikon terroristët e vrarë, në anën tjetër kinse i arreston, Serbia duhet të japë përgjegjësi para bashkësisë ndërkombëtare për sulmin terrorist, për aktin e agresionit ndaj integritetit territorial të Kosovës. Radoiçiqi duhet të gjykohet nga gjykatat e Kosovës, ai duhet të ekstradohet në Kosovë për të dhënë përgjegjësi ligjore këtu. Duhet të gjinden mekanizmat që Radoiçiqi të nxirret para përgjegjësisë, para institucioneve të Kosovës, para gjykatave të Kosovës dhe të trajtohet nga gjykatat e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, plani i këtij sulmi të dështuar ishte aneksimi i veriut të Kosovës.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, nuk mundet të kalojë si e pafajshme si shtet nga një situatë e tillë që ka rrezikuar stabilitetin në gjithë rajonin. Është plan për aneksim të veriut të Kosovës, plan qartazi politik i mbështetur nga autoritetet e Serbisë nëpërmjet një grupi paramilitar e terrorist. Vuçiqi po e kopjon qartazi Millosheviqin në një kontekst të caktuar, por edhe vetë Putinin. Po mos të dështonte, do të kishim sjellje krejt të ndryshme të Serbisë lidhur me këtë sulm”, është shprehur ai.

Rrustemi ka thënë se faktori ndërkombëtar duhet të vendosë masa ndaj Serbisë, ashtu siç e kanë cilësuar sulm terrorist atë që ndodhi të dielën e 24 shtatorit në veri.

Edhe Vrajolli: Vështirë se Serbia e dorëzon Radoiçiqin Arbëri Vrajolli: Vështirë se Serbia e dorëzon Radoiçiqin

Deputeti i LVV-së më tej e ka cilësuar të gabueshme deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se kontrolli në veri të Kosovës duhet të merret nga KFOR-i.

“Deklarata e z.Rama është e gabueshme. Policia e Kosovës është reaguesi i parë në mënyrë të padiskutueshme. Pa paragjykuar motivet, referencat, informacionet, deklarata e z.Rama është e gabueshme dhe jo vetëm për faktin që është në linjë me kërkesën e Aleksandar Vuçiqit që ta marrë kontrollin KFOR-i duke e larguar Policinë e Kosovës, por për shkak se nuk mund dhe nuk duhet që veriu i Kosovës të trajtohet si pjesë specifike”, ka deklaruar ai.