Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrustemi: Nuk i kemi 80 vota për presidentin, shpresoj në qasje ndryshe të opozitës

Adnan Rrustemi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme në pranverë. 

Rrustemi ka thënë se e gjitha do të varet nga opozita se si e lexon rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. 

“Nëse qasja do të jetë e njëjtë si e vitit të kaluar, atëherë do të jetë problem”, tha Rrustemi në “60 Minuta” të KTV-së. 

Ai ka thënë se para temës së presidentit janë edhe 3-4 hapa tjerë të rëndësishëm. 

“Duhet së pari të konstituohet Kuvendi, pastaj Qeveria, të miratohet buxheti dhe më pas edhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë Planin e rritjes në vlerë 880 milionë euro”, ka thënë Rrustemi. 

Ai ka thënë se te marrëveshjet ndërkombëtare, do të vërehet qasja e opozitës. 

Edhe Rrustemi: Opozita po llogarit se s’ka ku shkon më poshtë, prandaj po provokon zgjedhje Arbëri 2 muaj më parë Rrustemi: Opozita po llogarit se s’ka ku shkon më poshtë, prandaj po provokon zgjedhje

“Varet shumë se çfarë sjellje do të kemi nga opozita, nëse kemi replikim të vitit 2025 atëherë do të kemi vështirësi, pasi që nuk i kemi 80 vota. Por, besoj dhe uroj që opozita të ketë sjellje tjetër gjatë këtij viti dhe ta luajë rolin opozitar në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve, në përputhje me mjetet kushtetuese që ekzistojnë në Kosovë”, tha Rrustemi.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani skadon në pranverë. Afati i fundit për zgjedhje të presidentit është marsi. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar që të votohet një president konsensual. 

Sa i përket vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të gjitha votave në 10 komuna dhe 10% të votave në 28 komuna tjera, Rrustemi ka thënë se ky vendim do ta shtyjë certifikimin që pritej këtë javë, por thotë se garantohet integriteti i votës.