Avokati Arbër Jashari ka thënë se zgjedhjet në Kosovë prej se janë mbajtur janë manipuluar gjithmonë.
Ai në “Konfront” ka thënë se manipulimet më të mëdha në zgjedhje kanë ndodhur në vitin 2007 dhe 2010.
“Më 2015 e kam bërë një studim për master ‘Veprat penale kundër të drejtave të votimit’ dhe i kam hulumtuar këto dukuri. Zgjedhjet në Kosovë gjithmonë kanë pasur probleme dhe gjithmonë janë manipuluar, por manipulimet më të mëdha kanë ndodhur më 2007 dhe 2010. Pas vitit 2010 janë alarmuar shoqëria, mediat, institucionet. Prokuroria ka filluar t’i arrestojë dhe të ngrehë aktakuza”, u shpreh ai.
Jashari ka shtuar se nga zgjedhjet e vitit 2013 KQZ-ja ka nisur memorandumet me Prokurorinë dhe institucione të tjera, duke e caktuar një prokuror në zgjedhje, çka sipas tij ka ndikuar në mbarëvajtje të procesit.
“Pastaj kanë ardhur zgjedhjet e vitit 2013 dhe kanë filluar këto memorandumet KQZ me Prokurorinë, me institucionet tjera dhe është caktuar një prokuror si koordinator në zgjedhje. Mas zgjedhjeve të vitit 2013 ka ra drastikisht numri i aktakuzave dhe rasteve, kanë qenë raste të numëruara në gishta. Pas 2014-s askush më nuk e ka përmendur manipulimin në zgjedhje”, potencoi ai.
Muhaxhiri: Tjetërsimi i votave ishte sekret publik, por partitë u pajtuan në heshtje
Opinionisti Artan Muhaxhiri ka deklaruar se tjetërsimi i votave në zgjedhjet në Kosovë ka qenë prej vitesh një “sekret publik”, për të cilin, sipas tij, partitë politike kanë qenë të vetëdijshme dhe kanë vepruar në heshtje.
Muhaxhiri ka thënë se në një vend të vogël si Kosova është e pamundur të ndodhin ndryshime të mëdha të rezultateve pa u vërejtur, duke shtuar se ka ekzistuar një pajtueshmëri e pashkruar mes partive politike.
“Ka qenë ditur. Kosova është vend i vogël, qytezat janë të vogla dhe është e pamundur me pas ndryshime të mëdha të votave e të mos dihet. Ka qenë një marrëveshje e heshtur: përderisa nuk hyn në taborin tim, ju bëni çka doni me votat tuaja dhe ne bëjmë çka duam me tonat”, ka thënë Muhaxhiri në “Konfront”.
Ai e cilësoi si absurde mbështetjen masive për kandidatë të panjohur publikisht, duke thënë se në kushte normale politike është e pamundur që një kandidat pa profil publik të fitojë dhjetëra mijëra vota.
“Është politikisht e pamundur që një person për të cilin nuk ka dëgjuar askush t’i fitojë 20 apo 30 mijë vota. Si mund një kandidat nga Hani i Elezit t’i fitojë 3 mijë vota në Skenderaj? Na gjysmën e deputetëve nuk i njohim”, theksoi ai.
Sipas Muhaxhirit, kjo situatë përbën një dështim strukturor dhe sistematik të procesit zgjedhor. Ai ngriti edhe përgjegjësinë institucionale, duke përmendur raste kur persona të dënuar për vjedhje votash kanë vazhduar të avancojnë politikisht.
“Dje u zgjodh nënkryetar i Mitrovicës një person që ka qenë i dënuar për vjedhje të votave. Xhavit Haliti tha publikisht në televizionin tuaj se dihet që vidhen votat dhe nuk ka qenë ndonjë problem”, shtoi Muhaxhiri.
Ai kritikoi edhe sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar të papranueshme nivelin e ulët të dënimeve për manipulime zgjedhore.
“Në zgjedhjet e parafundit ka pasur dënime qesharake, 500 euro për manipulime të votave. Me dënime minimale krijohet motiv për të vazhduar tutje”, u shpreh ai.
Muhaxhiri kërkoi gjithashtu hetim dhe përgjegjësi edhe nga ekipet monituruese të zgjedhjeve, duke theksuar se manipulimet e mëdha nuk ndodhin në vendvotime të vogla.
Alijaj: Manipulimi me vota është kthyer në standard
Opinionisti Artan Alijaj ka thënë se parregullsitë në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë nuk janë dukuri e re, por ka pasur indikacione se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në 3-4 procese zgjedhore me radhë tashmë.
Alijaj ka thënë se dallimi është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kësaj radhe vendosi për rinumërim.
“Edhe në shkurt kemi pasur mjaft ankesa. Disa ankesa që janë bërë në shkurt u injoruan nga KQZ-ja. Janë ngritur këto çështje shumë herë përpara por për fat të keq KQZ-ja asokohe kishte vendosur të mos bënte rinumërim të tillë. Këtë herë lajmi i mirë është që më në fund KQZ-ja mori vendim për rinumërim...Por, një dukuri e tillë ka ndodhur shumë herë në të kaluarën, jo detyrimisht e organizuar prej qendre, pasi këto bëhen nga degët e degët dihet kanë preferencat e tyre. Është bërë standard ky manipulim, duke marrë parasysh se diçka e tillë ka ndodhur disa cikle zgjedhore me radhë. Është kthyer në standard”, tha Alijaj në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se tash e disa vite flitet se kandidatët potencialë për të hyrë në garë për deputet duhet të investojnë shuma të mëdha.
“Jo detyrimisht për fushatë, por të paguhen komisionerët qoftë për ta ruajtur votën e qoftë për ta tjetërsuar atë”, tha Alijaj.
Ai ka thënë se është kthyer ky problem në kulturë fatkeqësisht.
“S’mund të ndodhë nga vetëm një parti. Secili komisioner aty duhet të jetë i pajtimit që të ketë manipulim të votave për kandidatë”, ka thënë Alijaj.
KQZ-ja të hënën vendosi për rinumërim të plotë të votave të rregullta nga zgjedhjte e parakohshme të 28 dhjetorit, pas parregullsive të mëdha që u konstatuan gjatë rinumërimit të votave në 10 komuna dhe 10% të votave në 28 komuna tjera.
Rrusta: Kemi opozitë të bankrotuar
Teutë Rrusta, aktiviste e PSD-së, e ka quajtur “të bankrotuar” partitë politikë në ish-opozitë për shkak të skandalit me vota pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ajo ka theksuar se PDK, LDK e AAK i kanë parë zgjedhjet si mundësia e fundit për t’u bërë deputetë dhe e kanë shfrytëzuar politikën si biznes.
“Ne kemi opozitë të bankrotuar. Të bankrotuar për shkak të ngjarjeve që i kemi, vjedhja e votave mes njëri-tjetrit. Para se me qenë kandidatë për deputet, kanë qenë kolegë e shokë mes vete dhe kjo vjedhje prek shumë nivele. Çka ka ndodhë është njëfarë zhveshje e politikës prej moralit dhe pastaj politika duke u pa si biznes dhe duke e pa, sidomos opozita, si momenti i fundit që të mund të bëhen deputetë”, ka thënë ajo në Konfront.