Analisti politik Artan Muhaxhiri, ka thënë se ka qenë gjithmonë e ditur se vidhen votat por kësaj radhe këtë çështje e zbardhi kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili siç deklaroi Muhaxhiri – doli se nuk i përket pjesës së institucioneve të drejtësisë të cilat e kanë miratuar në heshtje gjithmonë vjedhjen.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, duke iu referuar ndryshimit në vota pas rinumërimit te të gjitha partitë politike dhe faktit se në Partinë Demokratike të Kosovës vërehet më së shumti, Muhaxhiri deklaroi se PDK-ja ka përvojën më të madhe për vjedhjen e votave dhe partitë e tjera po marrin mësim nga ajo.
“Që vidhen votat është ditur gjithmonë, ka qenë një sekret publik. Kësaj radhe ndodhi diçka shumë e mirë sepse ndonjëherë ndodhë që ndonjë hallkë të mos përputhet me idenë e tërë zingjirit. Nëse herave të kaluara të gjitha partitë politike kanë qenë pro vjedhjes, institucionet e drejtësisë i kanë mbyllur sytë, kësaj radhe ndodhi që kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu nuk ishte pjesë e atij zingjiri dhe e zbardhi këtë çështje. Me vetë faktin që kanë vjedhur të gjitha partitë, askujt nuk i ka konvenuar të zbulohen dhe kjo tregon që edhe institucionet e drejtësisë e kanë miratuar në heshtje. PDK-ja ka pasur përvojë më të madhe dhe këto partitë e tjera po marrin mësim nga ta sepse dihet në vitin 2010 ka pasur shumë akuza të mëdha për ta për vjedhje të votave”, ka thënë Muhaxhiri.
Muhaxhiri për vendimin e Kushtetueses: Këto beteja me Listën Serbe dështojnë gjithmonë
Analisti Muhaxhiri ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Nenad Rashiqi, vendim të cilin e quajti të pritshëm. Sipas Muhaxhirit, betejat në këtë formë ndaj Listës Serbe janë të destinuara që gjithmonë të dështojnë.
“Për çdo person që i ka dy fije mend dhe që e ka lexuar së paku një herë në jetën e tij Kushtetutën e Kosovës, ky vendim nuk do të duhej të ishte i papritshëm.
Sipas analistit Muhaxhiri, ky vendim e ka fuqizuar Listën Serbe sepse tregoi që ajo ka pasur të drejtë, ndërsa e dëmtoi shumicën shqiptare. Ai ka deklaruar po ashtu se kjo vonesë prej muajsh e Gjykatës Kushtetuese për të bërë të ditur vendimin ndaj Nenad Rashiqit, tregon që ka qenë nën presion.
“Ky vendim e fuqizon Listën Serbe sepse tregon që ajo ka pasur të drejtë në aspektin kushtetues dhe dëmton shumicën shqiptare. Nëse vazhdon kështu ose do të duhej që Kurti të bëjë kompromis me ta, kompromis normal që askush nuk do t’ia shihte për të madhe ose të vazhdohet me bllokada. Gjykata Kushtetuese ka qenë nën presion shumë të madh sepse situata ka qenë shumë e qartë: ai komunitet që merr vota shumicë duhet ta kenë përfaqësuesin e tyre në këtë pozitë. Gjykata Kushtetuese megjithatë është shndërruar në bastionin e fundit që po e ruan demokracinë”, ka thënë Muhaxhiri në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës pas ankesës së Listës Serbe, ka konstatuar se procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.
Në aktgjykim është thënë se zbatimi i mekanizmave të debllokimit në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit ta përcaktojnë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb do të përbente anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.